Bislimi tregon se në Bruksel kanë dërguar 7 faqe me komente për planin e zbatimit, ka kritika për Lajçakun

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi, në një intervistë të dhënë sot ka folur për dorëzimin e komenteve sa i përket planit të implementimit të marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel dhe Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Bislimi ka thënë se dje kanë dërguar një dokument 7 faqesh me komente dhe…

Lajme

19/07/2024 22:12

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi, në një intervistë të dhënë sot ka folur për dorëzimin e komenteve sa i përket planit të implementimit të marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel dhe Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Bislimi ka thënë se dje kanë dërguar një dokument 7 faqesh me komente dhe kanë marrë konfirmimin se dokumenti ka arritur në zyrën e Borell.

Në këtë dokument, Bislimi thotë se kanë sqaruar edhe një herë tri siguresat që i kanë kërkuar sa i përket hapave që duhet ndërmerren lidhur me marrëveshjen e arritur.

“Ne kemi sqaruar edhe një herë arsyen se pse kemi insistuar në këto siguresa gjatë takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe Borellit e Lajcakut. E para është formalizimi i marrëveshjes. Siguresa e dytë ka qenë tërheqja e letrës që ish-kryeministrja Brnabiq kishte deponuar në Bruksel. Garanca e tretë është dorëzimi i Radojiçiqit”, ka thënë Bislimi në këtë intervistë në KTV.

Ai gjithashtu ka shprehur brenga dhe kritika për emsiarin sllovak, Miroslav Lajcak, rreth asaj se si duhet të zbatohet marrëveshja e arritur.

Bislimi ka thënë se ka pasur tendenca nga Miroslav Lajcak që obligimin e Serbisë për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare ta zbres poshtë sa i përket planit të implementimit.