Bislimi: Me aprovimin e agjendës së reformave, Kosova përfiton deri në 882 milionë euro

Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet…

Lajme

23/10/2024 14:42

Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë pëlqimin e tyre për këto agjenda.

Bosnjë e Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm për të cilin agjenda e reformave nuk është miratuar ende. Ky shtet ishte i vetmi që nuk dorëzoi me kohë agjendën e reformave.

“Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehin përkushtimin për reformat fondamentale dhe socio-ekonomike të cilat do t’i ndërmarrin për të siguruar rritje dhe konvergjencë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë periudhës prej vitit 2024 deri më 2027”, u tha në njoftimin e BE-së.

E pas kësaj ka reaguar zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi tha se me Planin e Rritjes, Kosova është një hap më pranë BE-së.

Po ashtu ai theksoi se me aprovimin e agjendës së reformave, hapet rruga drejt mundësimit të pagesave të para, prej të cilave në total Kosova përfiton deri në 882 milionë euro.

Postimi i plotë:

Me Planin e Rritjes, Kosova një hap më pranë Bashkimit Evropian.

Sot u aprovua agjenda e reformave të Kosovës nga Komisioni Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes. Një agjendë e targetuar drejt avancimit përmbajtësor dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Me aprovimin e agjendës së reformave, hapet rruga drejt mundësimit të pagesave të para, prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro./Lajmi.net/