Biserko: Vuçiq po humb legjitimitetin, institucionet po ia kthejnë shpinën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po humb legjitimitetin dhe përkrahjen nga institucionet në të cilat dikur mbështetej, tha presidentja e Komitetit të Helsinkit, Sonja Biserko. Në një intervistë për vijesti.ba, ajo theksoi se disa prej tyre tashmë janë distancuar nga ai, ndërsa të tjerat kanë nisur këtë proces. “Edhe strukturat që dikur ishin të afërta me…

Lajme

12/08/2025 13:36

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po humb legjitimitetin dhe përkrahjen nga institucionet në të cilat dikur mbështetej, tha presidentja e Komitetit të Helsinkit, Sonja Biserko.

Në një intervistë për vijesti.ba, ajo theksoi se disa prej tyre tashmë janë distancuar nga ai, ndërsa të tjerat kanë nisur këtë proces.

“Edhe strukturat që dikur ishin të afërta me Vuçiqin po ecin në të njëjtin drejtim. Pavarësisht biografive të tyre politike, po shtrohen pyetje serioze mbi rolin dominues që Vuçiq ka pasur deri tani si arbitër për gjithçka. Një shembull kyç është prokuroria, e cila do të ketë rol vendimtar në krijimin e një sistemi të ri juridik dhe në vendosjen e sundimit të ligjit”, tha Biserko.

Ajo theksoi se shoqëria serbe është e përçarë dhe se është e vështirë të parashikohet se çka mund të nodhë në shtator.

“Qytetarët po jetojnë në kushte të rënda, situata materiale është alarmante, dhe gjithçka është në prag të shpërthimit. Vuçiq nuk e ka më aftësinë ta kontrollojë këtë pakënaqësi. Ai ka humbur mbështetjen e gjerë – tani i kanë mbetur vetëm ‘besnikët’, ata që kanë përfituar financiarisht nga lidhja me të. Gjithçka që mund të bëjë tani është të sigurojë një tranzicion paqësor dhe të pranojë ndihmën e Perëndimit”, shtoi Biserko.

Sipas saj, lufta e Rusisë në Ukrainë ka vënë edhe më shumë në pah tendencën e Rusisë për të mashtruar Serbinë.