Binance Research: Rënia e altcoin-eve nuk lidhet me listimet, por me kushtet e tregut
Në një kohë kur po shtohen pretendimet se listimet në bursat e kriptos ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e çmimeve të altcoin-eve, Binance Research krahu kërkimor dhe analitik i Binance vlerëson se të dhënat për vitin 2025 tregojnë një realitet më kompleks. Sipas analizës së tyre, e mbështetur edhe nga të dhëna të aktorëve të tjerë…
Në një kohë kur po shtohen pretendimet se listimet në bursat e kriptos ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e çmimeve të altcoin-eve, Binance Research krahu kërkimor dhe analitik i Binance vlerëson se të dhënat për vitin 2025 tregojnë një realitet më kompleks.
Sipas analizës së tyre, e mbështetur edhe nga të dhëna të aktorëve të tjerë të tregut, janë kushtet e përgjithshme të tregut, dhe jo vetë akti i listimit, ato që përcaktojnë lëvizjen e çmimeve të tokenëve.
Binance Research thekson se komentet e fundit që sugjerojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes listimeve në bursa dhe rënieve pasuese të çmimeve nuk përputhen me pamjen e plotë që ofrojnë të dhënat e vitit 2025. Analiza tregon se performanca e altcoin-eve gjatë kësaj periudhe ka qenë kryesisht e diktuar nga dinamika e përgjithshme e tregut.
Në këtë kontekst, të dhënat e ndara nga Pavel Kýček, drejtor ekzekutiv i kompanisë institucionale të tregtimit të kriptos Robuxio, tregojnë se listimet e reja të kontratave të përjetshme gjatë vitit 2025 kanë shënuar një trend më të gjerë rënieje të performancës në disa bursa. Ky fenomen nuk është kufizuar vetëm te bursat e centralizuara, por është vërejtur edhe në platformat e decentralizuara të tregtimit, duke treguar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një bursë të vetme, por për pasqyrim të kushteve të përgjithshme të tregut.
Sipas analizës së brendshme të Binance Research, momenti i listimit të një tokeni nuk është faktori kryesor që përcakton lëvizjen e çmimit të tij. Çmimet, në shumicën e rasteve, ndjekin trendet e përgjithshme të tregut, ndërsa faktorët specifikë për secilin token ndikojnë më shumë në performancën relative brenda këtij konteksti të përgjithshëm.
Për ta ilustruar këtë, Binance Research ka krahasuar lëvizjet e çmimeve pas listimit në platformën e futures të Binance gjatë vitit 2025 për dy grupe tokenësh: ato që janë listuar për herë të parë gjatë vitit 2025 dhe ato që ishin listuar para këtij viti. Analiza përfshin 243 listime të reja dhe 390 listime më të hershme. Rezultatet tregojnë se altcoin-et janë sjellë në mënyrë të ngjashme gjatë vitit, pavarësisht momentit të listimit.
Sipas Binance Research, nëse listimet në bursa do të ishin shkaku kryesor i rënies së çmimeve, atëherë tokenët e listuar rishtazi do të duhej të shfaqnin vazhdimisht performancë më të dobët sesa ata të listuar më herët. Megjithatë, të dhënat tregojnë se të dyja grupet kanë ndjekur të njëjtat lëvizje, çka forcon përfundimin se faktorët makro dhe kushtet e përgjithshme të tregut janë ata që ndikojnë në mënyrë vendimtare në çmimet e altcoin-eve, e jo vetë listimet në bursat e kriptos.