“Bill Clinton” kërkon kontejnerë! (Foto)

Banorët e lagjes Dardania në Prishtinë, që banojnë në ndërtesat publike të cilat shtrihen në anën e djathtë të bulevardit “Bill Clinton” (në drejtim të kompleksit Santea), që prej gati pesë vjetësh janë të detyruar të bartin bërllokun në lagjen tjetër të qytetit, Lakërishte. 

Lajme

21/07/2014 17:54

Që kur është ndërtuar bulevardi nga Komuna, kontejnerët që ndodheshin në parkingun pranë ndërtesave publike, janë hequr prej aty, ndërsa pika më e afërt që banoret kanë për hedhjen e mbeturinave ditore kanë mbetur kontejnerët që ndodhen në lagjen Lakërishte, pikërisht në zonën ku po bëhen ndërtimet e rrokaqiejve.  

Përveç rrezikut nga veturat që banorëve u kanoset derisa ata/ato kalojnë rrugën, ku shpejtësia e kufizuar është 40km/h, por që jo rrallë shkon në 80km/h, dërgimi i bërllokut deri tek kontejnerët më të afërt paraqet rrezik për qytetarët sidomos në kohën kur bie terri, pasi rrugica është e pandriçuar, përplot me baltë dhe qenë endacakë.    

Derisa niveli i pastërtisë në hyrjet e Bllokut Nr.5 ka rënë shumë krahasuar me pesë vjet më parë, mungesa e kontejnerëve ka ulur dukshëm edhe numrin e qytetarëve që paguajnë me rregull faturat për “shërbimin” që kryen kompania e pastrimit.  

Lajmi.net nuk ka kontaktuar as zyrtarët komunalë dhe as ata të kompanisë së pastrimit, pasi fotografitë e së dielës që sapo lamë pas flasin mjaftueshëm  për “kujdesin” që këto institucione kanë ndaj qytetarëve dhe ambientit ku jetojnë.