Bilall Sherifi: Opozita të propozojë dy kandidatë për president – Nëse VV refuzon, mban përgjegjësinë për zgjedhje

Zyrtari i NISMA-s, Bilall Sherifi, ka dalë me një propozim për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në lidhur me zgjidhjen e çështjes së presidentit, pas zhvillimeve të fundit politike në vend. Sipas Sherifit, opozita duhet të propozojë dy kandidatë për president: një nga tradita e rezistencës paqësore dhe një nga radhët e UÇK-së, duke ia lënë vendimin…

Lajme

20/04/2026 22:29

Zyrtari i NISMA-s, Bilall Sherifi, ka dalë me një propozim për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në lidhur me zgjidhjen e çështjes së presidentit, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Sipas Sherifit, opozita duhet të propozojë dy kandidatë për president: një nga tradita e rezistencës paqësore dhe një nga radhët e UÇK-së, duke ia lënë vendimin final Kuvendit të Kosovës.

Ai thekson se kjo do të ishte një zgjidhje përfaqësuese dhe e drejtë në këtë moment politik.

“Kjo është oferta më e drejtë dhe më përfaqësuese që mund të bëhet në këtë moment. Nëse VV e refuzon, atëherë nuk ka më dilema: përgjegjësia për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme bie vetëm mbi një adresë—Vetëvendosjen,” ka shkruar Sherifi.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe përpjekjet e deritanishme për zgjidhje, duke thënë se ato nuk kanë qenë reale, por më shumë një garë politike për të përcaktuar fajtorin për situatën e krijuar.

Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në fund, Sherifi ka sqaruar se qëndrimi i tij është personal dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin zyrtar të subjektit që ai përfaqëson /Lajmi.net/