BIK-u jep detaje për kthimin e haxhilerëve në Kosovë
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se haxhilerët kosovarë, pas përfundimit të të gjitha riteve të haxhit do të nisin kthimin në Kosovë duke filluar nga orët e para të ditës së premte. Sipas njoftimit të BIK-ut, aeroplani i parë me haxhilerët nga Prishtina do të aterojë të premten në orën 01:15 pas mesnate. Po…
Lajme
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se haxhilerët kosovarë, pas përfundimit të të gjitha riteve të haxhit do të nisin kthimin në Kosovë duke filluar nga orët e para të ditës së premte.
Sipas njoftimit të BIK-ut, aeroplani i parë me haxhilerët nga Prishtina do të aterojë të premten në orën 01:15 pas mesnate.
Po më 5 qershor, në orën 12:25, pritet të arrijë grupi i dytë i haxhilerëve nga Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Gjakova dhe Klina.
Të shtunën, më 6 qershor, në orën 01:10 pas mesnate, do të aterojë grupi i tretë me haxhilerë nga Prizreni dhe Shtimja.
Ndërkaq, në orën 09:45 të së njëjtës ditë, do të arrijë grupi i katërt me besimtarë nga Gjilani, Lipjani dhe Rahoveci.
Sipas njoftimit, të shtunën në ora 12:25, do të kthehet edhe grupi i pestë i haxhilerëve nga Ferizaji, Kaçaniku, Hani i Elezit, Vitia dhe Kamenica.
Sipas BIK-ut, grupi i gjashtë, i përbërë nga haxhilerët e Mitrovicës, Vushtrrisë, Pejës, Deçanit, Istogut, Suharekës, Malishevës dhe diasporës, do të aterojë më 7 qershor në orën 08:55.
Grupi i fundit i haxhilerëve do të mbërrijë më 8 qershor në orën 01:15 pas mesnate teksa bëhet e ditur se në këtë grup përfshihen besimtarët nga Drenasi, Skenderaji, Dragashi dhe Rajoni i Gorës.
BIK ka bërë të ditur se në rast të ndonjë ndryshimi në oraret e fluturimeve, qytetarët do të njoftohen me kohë.
Në përmbyllje të njoftimit, Bashkësia Islame e Kosovës ka lutur Zotin që haxhilerëve t’u jetë pranuar haxhi dhe ibadetet e kryera, si dhe të kthehen shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre.