BIK mbështet marshin “Liria Ka Emër” dhe çlirimtarët e UÇK-së
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, ka vendosur të mbështesë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i paraparë më 17 shkurt në Prishtinë, në përkrahje të çlirimtarëve që po mbahen dhe tentohen të dënohen në Hagë. BIK e konsideron gjyqin në Hagë “një…
Lajme
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, ka vendosur të mbështesë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i paraparë më 17 shkurt në Prishtinë, në përkrahje të çlirimtarëve që po mbahen dhe tentohen të dënohen në Hagë.
BIK e konsideron gjyqin në Hagë “një proces me prapavijë politike” dhe thekson se UÇK-ja mbetet “vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë”. Kryesia gjithashtu vendosi që hytbeja e xhumasë më 13 shkurt të kushtohet Ditës së Pavarësisë dhe të dërgojë mesazh përkrahës për luftëtarët e lirisë, transmeton lajmi.net.
“Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë,” thuhet në komunikatë. BIK fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në Prishtinë.
Postimi i plotë:
DEKLARATË E KRYESISË SË BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.
Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë.
Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.
Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë.
Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë.
Prishtinë, më 10 shkurt 2026./lajmi.net/