Bie numri i vdekjeve të foshnjave të porsalindura në Kosovë
Zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës ka bërë të ditur se edhe pse shpeshherë është raportuar për rritje të vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura, statistikat zyrtare nga Klinika e Neonatologjisë në QKUK flasin për ulje të konsiderueshme të vdekshmërisë.
Lajme
Në vitin 2000, vdekshmëria e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë ka qenë 31 promilë, që do të thotë se 31 foshnje të porsalindura kanë vdekur në çdo 1,000 të porsalindur të lindur të gjallë, duke llogaritur foshnjat prej 22 jave të moshës së shtatzënësisë, ose me peshë mbi 500 gr.
Sipas QKUK, përgjatë këtyre viteve ka përsëri rënie graduale të kësaj vdekshmërie.
“Këtë vit, për herë të parë në historinë e Klinikës së Neonatologjisë, vdekshmëria neonatale shënon shifrën prej 9.1 promilësh, që përafërsisht është në të njëjtin nivel me shtetet e rajonit. Kjo përkon edhe me Synimet Zhvillimore të Mileniumit që deri në vitin 2015 të ulet vdekshmëria neonatale për dy të tretat”, thuhet në njoftimin për media të QKUK-së.
Sipas QKUK-së, krahasuar me vitin paraprak, në vitin 2014 kemi pasur rënie prej 6.5 promilësh që do të thotë se kanë qenë 65 vdekje më pak për të njëjtin numër të fëmijëve që kanë lindur të gjallë.
“Për raportime ndërkombëtare, ku për të dhëna statistikore llogariten vdekjet e fëmijëve me peshë më të madhe se 1,000 gr dhe me moshë të barrës mbi 28 javë, shkalla e vdekshmërisë neonatale është 5 promilë”, theksohet më tej në këtë komunikatë.
Në uljen e vdekshmërisë neonatale QKUK vlerëson se ka ndikuar përkushtimi i stafit për përmirësimin e cilësisë së kujdesit të ofruar, edukimi i vazhdueshëm profesionalë, përpilimi i protokolleve të punës në nivel të Klinikës, furnizimi më i mirë i Klinikës me pajisje mjekësore dhe material shpenzues, donacioni i Surfaktantit për vite me radhë, i cili ka ndikuar në rritjen e mbijetesës së foshnjave të lindura para kohe, si dhe donacionet tjera për të cilat jemi shumë mirënjohës.