Bie kriteri diskriminues për përllogaritjen e pensioneve, Gjykata Supreme e shpall të paligjshëm kufizimin për kualifikimet arsimore

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të një udhëzimi administrativ që lidhet me kategorizimin e pensioneve kontributpaguese. Vendimi është marrë pas padisë së një qytetari kundër Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht Departamentit të Pensioneve, duke vlerësuar se dispozita në fjalë vendoste një kufizim…

Lajme

25/03/2026 14:54

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të një udhëzimi administrativ që lidhet me kategorizimin e pensioneve kontributpaguese.

Vendimi është marrë pas padisë së një qytetari kundër Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht Departamentit të Pensioneve, duke vlerësuar se dispozita në fjalë vendoste një kufizim të pajustifikuar dhe pa bazë ligjore, transmeton lajmi.net.

Sipas aktgjykimit, dispozita e kontestuar kërkonte që të gjitha dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 1 janar 1991, në mënyrë që të merren parasysh në përllogaritjen e pensionit. Gjykata vlerësoi se një kufizim i tillë nuk është i paraparë me ligj dhe bie ndesh me parimet e barazisë dhe ligjshmërisë.

Supremja theksoi se e drejta për pension kontributpagues lidhet me pagesën e kontributeve deri më 1 janar 1999 dhe jo me kohën e fitimit të diplomës.

Sipas gjykatës, vendosja e një kriteri të ri nga ana e ministrisë përbën tejkalim të kompetencave ligjore dhe cenon sigurinë juridike.

Gjykata po ashtu vlerësoi se kufizimi krijonte trajtim të pabarabartë për pensionistët që kanë përmbushur kushtet ligjore, por kanë përfunduar shkollimin pas vitit 1991.

Me këtë vendim, është aprovuar padia e paditësit, ndërsa ministria është obliguar t’ia kompensojë atij edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 618 euro.

Aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Komunikata e plotë: 

Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ me numër P.A.nr.1/2026, ka marrë aktgjykim me të cilin aprovon si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Sh.S., kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) – Departamenti i Pensioneve.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.

Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.

Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.

Një dispozitë e tillë cenon edhe parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim të pajustifikuar ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional.

Gjykata Supreme vlerëson se dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues./lajmi.net/