Biberaj: Kurti s’punoi për mbrojtjen e raportit me SHBA, tjetërsoi disa nga përkrahësit më të flaktë amerikanë të Kosovës
Veterani i gazetarisë, Elez Biberaj, që ka punuar për vite të tëra në “Zërin e Amerikës”, ka shpërndarë në profilin e tij fjalimin që ka mbajtur më 18 shkurt, në një konferencë ku është diskutuar për raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Biberaj thotë se kanë kaluar nga një…

Lajme
Veterani i gazetarisë, Elez Biberaj, që ka punuar për vite të tëra në “Zërin e Amerikës”, ka shpërndarë në profilin e tij fjalimin që ka mbajtur më 18 shkurt, në një konferencë ku është diskutuar për raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Biberaj thotë se kanë kaluar nga një raport i veçantë në të komplikuar, shkruan Gazeta Express.
Në një pjesë të fjalimit të tij, Biberaj i ka kushtuar vëmendje të veçantë veprimeve dhe qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veterani i gazetarisë ka thënë se ndonëse Kurtit i rastisi mandati i parë si kryeministër paralelisht me atë të Joe Biden si president i SHBA-së, nuk përfitoi, por arriti të tjetërsojë edhe disa nga mbështetësit më të flaktë amerikanë të Kosovës.
“Për ironi të fatit, mandati i Kurtit përkoi me atë të Joe Bidenit. Presidenti Biden ishte njohës i mirë i çështjeve shqiptaro-serbe dhe, si senator dhe zëvendëspresident, ishte një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës. Anëtarët e lartë të administratës së tij kishin luajtur role të rëndësishme gjatë luftës së vitit 1999 dhe konsideroheshin miq të Kosovës. Në vend që të përfitonte nga këto marrëdhënie personale dhe qasja në shumicën e politikëbërësve të lartë, Kurti arriti të tjetërsojë disa nga mbështetësit më të flaktë amerikanë të Kosovës”, ka shkruar Bibera, raporton Express.
Tutje ai thotë se Kurti s’ka bërë serioze për të mbrojtur dhe ndërtuar raportin më të rëndësishëm të Kosovës, atë me Shtetet e Bashkuar atë Amerikës dhe ka vazhduar të mbajë iluzionin se marrëdhënia me SHBA-në ishte e paprekur.
“Kurti nuk bëri përpjekje serioze për të mbrojtur dhe ndërtuar marrëdhënien më të rëndësishme të Kosovës. Ai i nënvlerësoi masat ndëshkuese të vendosura ndaj vendit të tij dhe mbajti iluzionin se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara ishte e paprekur. Ai gjithashtu nuk ndërmorri ndonjë përpjekjet të dukshme në rrafshin e diplomacisë publike për të shpjeguar qëndrimin e qeverisë së tij apo për të ofruar një alternativë të besueshme që mund të kishte qenë e pranueshme për Uashingtonin. Ndërsa përpjekjet e diplomacisë publike në vetëvete nuk mund të kishin siguruar zgjidhje të favorshme për Prishtinën, ato mund të kishin kontribuar në zgjerimin e marrëdhënieve dhe një kuptim më të mirë të faktorëvenë të cilët mbështetën politikat e Kosovës”, ka potencuar gazetari shqiptar.
Kjo qasje e Kurtit, Biberaj thotë se është në kontrat me qasjen e ndjekur në të kaluarën nga drejtuesit e Kosovës, duke nisur nga Ibrahim Rugova në vitin 1990.
“Kjo ishte në kontrast me qasjen e ndjekur në të kaluarën nga udhëheqësit e Kosovës. Në vitet 1990, Ibrahim Rugova u angazhua në një fushatë të gjerë publike në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar qëndrimet e Kosovës dhe duke bërë përpjekje për të siguruar mbështetje dhe për të forcuar lidhjet. Ai arriti të ndërtojë marrëdhënie të vlefshme dhe të siguroi mbeshtetje për pozitën e Kosovës. Presidenti Rugova gjithashtu angazhoi bashkësinë e vogël, por me ndikim, shqiptaro-amerikane, e cila luajti një rol të madh në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe sigurimin e mbështetjes amerikane. Shqiptaro-amerikanët përdorën një shumëllojshmëri taktikash dhe mediash për të ndikuar tek zyrtarët kryesorë të politikës amerikane – në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit. Aktivistët e komunitetit siguruan gjithashtu mbështetje të rëndësishme në Kongres. Ligjvënësit e fuqishëm, si Përfaqësuesi Tom Lantos, Senatori Dennis DeConcini, Senatori Bob Dole, Senatori Joe Biden, Përfaqësuesi Eliott Engel, dhe të tjerë, u bënë mbështetës të fortë të Kosovës. Pas çlirimit, Rugova dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë vazhduan në mënyrë krijuese angazhimet për të shtrirë mbeshtetjen e Kosovës në arenën politike dhe mediale amerikane”, shton tutje Biberaj.