Betoni i lëngshëm mbyti kosovarët, detaje shtesë nga rasti tragjik në Vjenë
Katër persona, tre nga të cilët ishin kosovarë, vdiqën dhe një tjetër pësoi lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë, ndërsa autoritetet austriake kanë bërë të ditur se betoni i lëngshëm ka vështirësuar ndjeshëm operacionin e shpëtimit. Sipas Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve të Vjenës, rreth 120…
Lajme
Katër persona, tre nga të cilët ishin kosovarë, vdiqën dhe një tjetër pësoi lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë, ndërsa autoritetet austriake kanë bërë të ditur se betoni i lëngshëm ka vështirësuar ndjeshëm operacionin e shpëtimit.
Sipas Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve të Vjenës, rreth 120 pjesëtarë të emergjencës u angazhuan në një operacion që zgjati më shumë se katër orë dhe u zhvillua të martën në një oborr në rrugën Porzellangasse, në distriktin Alsergrund, njofton agjencia austriake e lajmeve APA, transmeton KosovaPress.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14 e 30 gjatë punimeve për përshtatjen e një papafingoje (katit të fundit – nënçatisë), ku ishin vendosur kallëpe dhe skela ndërtimi. Gjatë derdhjes së betonit, e gjithë struktura u shemb, duke zënë nën rrënoja dhe beton të lagësht disa punëtorë.
Njëri nga ta, 45-vjeçar u nxor me lëndime menjëherë pas mbërritjes së ekipeve të para të shpëtimit, ndërsa kërkimi për viktimat e tjera rezultoi shumë kompleks. Për shkak të situatës, niveli i alarmit u ngrit menjëherë në shkallën e dytë dhe u angazhuan pajisje dhe ekipe të specializuara, përfshirë njësi kërkim-shpëtimi me qen, ekip për lokalizim akustik dhe një dron për hetime ajrore.
Operacioni u vështirësua edhe më tej nga nevoja për të hapur qasjen në oborr, duke larguar pengesa si gardhe dhe dyer. Strukturat e shembura, përfshirë skelat dhe përforcimet prej çeliku, u hoqën me mjete të ndryshme dhe me ndihmën e një vinçi.
Autoritetet bënë të ditur se dy trupat e parë u gjetën më herët, ndërsa viktimat e tretë dhe të katërt u lokalizuan vetëm pas rreth dy orë e gjysmë, për shkak të betonit të lëngshëm që gradualisht po ngurtësohej. Pas përfundimit të operacionit, zona u kontrollua sërish me qen shpëtimi për të siguruar që nuk kishte persona të tjerë të bllokuar.
Ndërkohë, Sindikata e Ndërtimtarëve dhe Punëtorëve të Drurit ka kërkuar hetim të plotë për shkaqet e aksidentit. Kryetari federal i kësaj sindikate, Josef Muchitsch, shprehu ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, duke theksuar se të gjithë të përfshirët në projekt mbajnë përgjegjësi dhe se duhet bërë gjithçka që punëtorët të kthehen të sigurt në shtëpi, çdo ditë.