Betimi s’ishte në rregull

Ardian Arifaj thotë se betimi në Komunat e Veriut nuk ka qenë fare në rregull. Sipas tij, është e papëlqyeshme bërja e proceseve në atë mënyrë dhe gjatë natës. Megjithatë, pohon se krijimi i Komunave sipas Ligjeve të Kosovës, politikisht është e arritur.

Lajme

12/01/2014 12:27

Mënyra se si janë betuar përfaqësuesit e zgjedhur të organeve komunale në Veriun e Kosovës ka ngjallur reagime të ndryshme në Kosovë.

Analisti Ardian Arifaj thotë se për të, si një vëzhgues i jashtëm, betimi nuk ka qenë fare në rregull.

Por, ai thotë për lajmi.net se e rëndësishme në këtë rast është që themelimi i Komunave në Veri është bërë sipas Ligjeve të Kosovës.

“Jo, betimi nuk ka qenë hiç në rregull, pa simbolet e shtetit të Kosovës. Për këtë fjalën përfundimtare duhet ta japin përfaqësuesit që e kanë vëzhguar konstituimin e këtyre organeve, pra zyrtarët e Ministrisë që kanë qenë duke e vëzhguar këtë mbledhje”.

“Por, për ne si vëzhgues nga jashtë, nuk ka qenë në rregull. Megjithatë, nuk mund ta largojmë vëmendjen nga domethënia e përgjithshme se, pa marrë parasysh se si interpretohet mbledhja e djeshme, nuk ka dyshim që këto Komuna janë zgjedhur dhe po themelohen sipas Ligjeve të Kosovës edhe do të duhej të punonin dhe të funksiononin sipas Ligjeve të Kosovës”.

“Pra, aty nuk ka asnjë status neutral, dhe kornizat brenda të cilave është bërë kjo është ajo e shtetit të Kosovës”.

“Megjithatë, duhet pasur kujdes që në të ardhmen këto institucione, këto Komuna, përnjëmend të funksionojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës dhe të veprojnë për interesat e Kosovës”.

Bëhet e ditur se pjesa e sipërme e deklaratës së betimit, ku pohohet të ketë qenë e vendosur logoja  e shtetit të Kosovës, ka qenë e mbuluar me ngjitës.

Ky ka qenë edhe kompromisi për arritjen e marrëveshjes për konstituimin e organeve të reja komunale në Veri.

Arifaj thotë se ligjshmërinë ose jo të këtij betimi duhet ta vlerësojnë institucionet e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Unë po flas për indukimet politike, ndërsa ato ligjore le t’i bëjnë organet kompetente”.

“Për ne, prapë po them, nuk ka qenë gjithçka në rregull, nuk është e pëlqyeshme ajo mënyrë e bërjes të proceseve natën, jo para skadimit të afatit, me dokumentet të cilat nuk i kanë simbolet shtetërore të Kosovës”.

“Megjithatë, nuk mund ta mohojmë faktin që janë zgjedhur sipas Ligjeve të Kosovës, po emërohen sipas Ligjeve të Kosovës dhe do të duhej të punonin sipas Ligjeve të Kosovës”.

“Politikisht, kjo nuk është për t’u nënçmuar. Është e arritur”, thotë Ardian Arifaj për lajmi.net.