Betim me kushte
Betimi i Kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, para Asamblesë Komunale, do të bëhet nëse plotëson disa kushte, të cilat i ka vënë Gjykata e Apelit.

Lajme
Vendimi i Gjykatës së Apelit për t`ia mundësuar Kryetarit të Skenderajit, Sami Lushtaku, për ta bërë betimin para Asamblesë Komunale është përcjellë me disa kushtëzime.
Në pajtim me nenin 57, sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, betimi i Sami Lushtakut do të mundësohet nëse plotësohen disa kushte.
“Paraqitja e Sami Lushtakut përpara Kuvendit Komunal të Skenderajt është e kufizuar vetëm për aq sa është e nevojshme që ai ta bëjë betimin”.
“Atij nuk i lejohet që të merr pjesë në betimin e personave të tjerë apo në organizime tjera qofshin ato të natyrës zyrtare ose shoqërore.
“Gjatë betimit të tij nuk do të lejohet prania e mediave dhe e publikut. Ai duhet të kthehet në qendrën e paraburgimit menjëherë pas bërjes së betimit”.
“Të pandehurit i ndalohet që të ketë çfarëdo kontakti me personat tjerë përveç asaj që është e nevojshme që ai ta bëjë betimin. Përshëndetjet apo çfarëdo forme e kontaktit shoqëror nuk janë të lejuara. Po ashtu, atij nuk i lejohet të bëjë ndonjë deklaratë”.
“Gjatë gjithë kohës së mungesës së tij nga objektet e paraburgimit, Sami Lushtaku duhet të jetë nën mbikëqyrjen e afërt të së paku katër oficerëve korrektues/policëve, të cilët janë të autorizuar që të ndërmarrin çdo veprim ose vendim i cili konsiderohet i nevojshëm në bazë të pikave të mësipërme apo të ndonjë shqetësimi për sigurinë, duke e përfshirë kthimin e tij në paraburgim pa e bërë betimin”.
“Policia e EULEX-it është udhëzuar që të jetë e pranishme si reaguese e tretë me qëllim që të shmanget ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatë”, thuhet në një njoftim të EULEX`it.