Beson në Përmbysje
Ali Berisha i AAK'së i është gëzuar koalicionit me PDK'në. Me një mobilizim të elektoratit, mendon se rezultati do të përmbyset dhe ai do të vazhdojë të jetë në krye të Pejës edhe për katër vjetët e ardhshme. Diferenca nuk është e madhe dhe kjo i jep shpresë.

Lajme
Nënshkrimi i vënë në letër mëngjesin e kësaj të marte ia ka forcuar shpresën Ali Berishës se ai do jetë personi i cili do t’i gëzohet fitores në mbrëmjen e 1 dhjetorit.
Kandidati i AAK’së për Kryetar të Pejës ka marrë mbështetjen e PDK’së për garën e balotazhit dhe krejt çka i mbetet pas këtij nënshkrimi është ta bindë elektoratin që të dalë në zgjedhje më 1 dhjetor.
Në një intervistë për lajmi.net, ai thotë se rezultati do të përmbyset.
“Është disponimi i simpatizuesve të AAK’së dhe PDK’së që në zgjedhjet e 1 dhjetorit të dalin masovikisht. Nëse dijmë ta mobilizojmë anëtarësinë, do ta përmbysim rezultatin”, thotë Ali Berisha, pasi ai dhe Xhavit Haliti i PDK’së nënshkruan një marrëveshje koalicioni.
“Diferenca nuk është shumë e madhe. Bazuar në aktivitetet që po i bëjmë, ky rezultat do të përmbyset”.
Marrëveshja është nënshkruar, por detajet nuk janë precizuar ende.
Berisha thotë se pjesëmarrja e PDK’së në hisen e pushtetit lokal në Pejë do të vendoset atëherë kur të dihet fuqia e këtyre partive politike në Asamblenë Komunale në Pejës.
“Në të ardhmen, pas përfundimit të procesit zgjedhor, bazuar në kapacitetet që i kemi në Asamble Komunale, do të ndahen edhe përgjegjësitë për Drejtori Komunale”.
Sido që të jetë, Berisha pret që kjo marrëveshje ta mobilizojë elektoratin pejan të të dyja taborreve politike.
Ai udhëheq Komunën e Pejës që nga viti 2007 dhe tani është në kërkim të një mandati të tretë.
E kundërta do ta kthente LDK’në në pushtet pas gjashtë vjetësh të qëndrimit në opozitë në këtë Komunë të Dukagjinit.
“Besojmë shumë, pasi që elektorati i AAK’së dhe PDK’së kanë një afrimitet mes tyre, kanë një të kaluar të përafërt”.
“Edhe në të kaluarën, kur kemi pasur balotazh, edhe pse nuk kemi pasur marrëveshje, ka pasur një mbështetje për kandidaturën e AAK’së në Pejë”.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Gazmend Muhaxheri ka rezultuar më i votuari ndër kandidatët tjerë me 16.608 vota, ose 40.85 për qind. Ai është pasuar nga Ali Berisha i LDK’së me 14.683 vota, ose 36.12 për qind.
Ndërsa kandidati i PDK’së, Muhamet Halitaj, kishte marrë 6.189 vota, ose 15,22 për qind.
Ali Berisha thotë se analizat që Dega e AAK’së i ka bërë për rënien në rezultat më 3 nëntor, tregojnë se Komuna e Pejës nuk i ka bërë propagandë punës së vet.
“Kemi bërë shumë punë në Komunën e Pejës. Dhe, kemi menduar që bazuar në punën që është bërë, nuk ka nevojë shumë për propagandë. Fushatën e kemi përqendruar në tubime të mëdha dhe jo në takime me anëtarësinë e gjerë të Komunës. Besoj se kjo na është hakmarrë, pasi që jo mjaftueshëm e kemi përçuar mesazhin te secili qytetar i Komunës”.
“Ndoshta edhe nuk kemi pasur shumë kujdes në përcaktimin e komisionerëve dhe mbikëqyrësve në zgjedhje dhe jo shumë të kujdesshëm kemi qenë ditën e votimit për mobilizim të njerëzve që të dalin në zgjedhje. Këto elemente besoj se kanë determinuar që në këto zgjedhje nuk dolëm ashtu siç kemi pritur”.
“Këto ditë, pas zgjedhjeve, jemi duke bërë punë, po vazhdojmë komunikimin me qytetarët dhe besojmë shumë se rezultati i 1 dhjetorit do të jetë në favor tonin”, thotë Ali Berisha për lajmi.net.