Besohet se FSK-ja për 10 vjet do të forcohet, renditja aktuale vlerësohet reale

Vendin e 141 ka zënë FSK-ja në nivel të forcës ushtarake botërore, duke lënë vetëm katër shtete pas vete. Kjo ranglistë, vlerësohet se tregon gjendjen reale të Ushtrisë, e cila dallon nga ajo që deklarohet se është nga ana e qeveritarëve. Vendin e pestë, për kah fundi, e ka zënë Ushtria e Kosovës në nivel…

Lajme

25/02/2025 09:22

Vendin e 141 ka zënë FSK-ja në nivel të forcës ushtarake botërore, duke lënë vetëm katër shtete pas vete. Kjo ranglistë, vlerësohet se tregon gjendjen reale të Ushtrisë, e cila dallon nga ajo që deklarohet se është nga ana e qeveritarëve.

Vendin e pestë, për kah fundi, e ka zënë Ushtria e Kosovës në nivel botëror në “GlobalFirepower”

Në indeksin e fuqisë ushtarake, Kosova u radhit e 141-ta.

Kriteret përcaktuese që u përdorën për këtë listim nisin që nga buxheti, deri tek kapacitetet logjistike dhe gjeografike.

“Duket qartë që është bërë një vlerësim real në përputhje me gjitha ato aktivitete që i ka zhvilluar FSK-ja prej themelimit e deri më tani, siç janë shkollimet, trajnimet, ushtrimet e ndryshme por edhe buxheti i shteti. Dhe tash këto komponente kur bashkohen, japin një fryt çfarë është ky i tanishmi”, është shprehur për Tëvë 1, Hysen Gecaj kolonel në pension.

Bazuar në deklaratat e qeveritarëve për avancimin e ushtrisë, ky listim vlerësohet se mund të jetë dëshpërues për disa.

“Për me fitu njëfarë mbështetje, njëfarë simpatie në popull, atëherë dalin me deklarata pompoze, gjë që nuk është në rregull, pra është në shpërputhje me deklarata e tyre në publik me atë që e dinë në realitet”, është shprehur Gecaj.

Mirëpo, konsiderohet se me ritmin e mbështetjes ndaj FSK-së, ajo për një dekadë mund të përparojë lirshëm.

“Duke marrë parasysh se ne jemi në fazat e para të modernizimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe ngritjen e kapaciteteve, unë besoj se brenda 10 viteve me ritmin në të cilin është duke u zhvilluar Ushtria e Kosovës, duke parë trefishimin e buxhetit vetëm në dy vitet e fundit, unë besoj se në 10 vitet e ardhshme, Kosova do të krahasohet në raport me kokë të banorit, do të krahasohet me vende siç është Kroacia”, ka thënë Avni Islami, njohës i sigurisë.

Nga vendet e Ballkanit, ushtria e Serbisë zë vendin e 63-të, pasuar nga Shqipëria në vendin e 78-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 112-të dhe Mali i Zi në vendin e 127-të.

Ndërsa, top-treshja e ushtrive më të forta botërore janë SHBA-ja, Rusia dhe Kina.