Besnik Hasi mund të bëhet opsion për Kosovën – pritet shkarkimi nga Al-Ahli

Trajneri i njohur shqiptar, Besnik Hasi mund të jetë një opsion për Kombëtaren e Kosovës, në rast që në ditët e ardhshme shkarkohet nga Al-Ahli.

Sport

02/02/2022 15:20

Gazetari Cesar Luis Merlo ka shkruar në “Twitter” se Al-Ahli është duke konsideruar të largojë nga detyra Besnik Hasin dhe punën t’ia besojë ish trajnerit të Benficas, Jorge Jesus, transmeton lajmi.net.

Merlo shton se Al-Ahli veçse ka bërë një ofertë milionëshe në drejtim të Jesus, i cili do përgjigjet në ditët e ardhshme.

Në rast që Jesus pranon dhe Al-Ahli shkarkon Hasin, atëherë ky i fundit do jetë opsion real për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kryetari Agim Ademi para disa ditëve ka konfirmuar se është i interesuar që Hasi të jetë përzgjedhës i Kosovës, mirëpo për momentin nuk është e mundur, shkaku i kontratës që ka ky i fundit me klubin Al-Ahli.

Ndërkohë, trajneri i ri i Kosovës është raportuar që do mësohet brenda kësaj jave./ Lajmi.net/