Besim Kelmendi: Kurrë s’kam qenë në Reçak para 2001, s’kam qenë as gjyqtar e as prokuror para vitit 2000
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga mediumi Paparaci, duke e cilësuar atë si të pavërtetë, tendencioz dhe me qëllim për ta dëmtuar reputacionin e tij personal dhe profesional. Në një konferencë për media, Kelmendi tha se portali dhe gazetari Vehbi Kajtazi po publikojnë “shpifje…
Lajme
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga mediumi Paparaci, duke e cilësuar atë si të pavërtetë, tendencioz dhe me qëllim për ta dëmtuar reputacionin e tij personal dhe profesional.
Në një konferencë për media, Kelmendi tha se portali dhe gazetari Vehbi Kajtazi po publikojnë “shpifje dhe gënjeshtra”, derisa shtoi se shkrimi i sotëm për të është “krejtësisht i pavërtetë”.
Kelmendi ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë deri në vitin 2001 në Reçak.
Ai akuzoi Kajtazin se po shkruan kundër tij pasi Kelmendi kishte refuzuar disa kërkesa që, sipas tij, ishin për interes të bizneseve.
Ai sqaroi se është zgjedhur gjyqtar për herë të parë në vitin 2000 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe se ka qenë pjesë e trupit gjykues në rastin e masakrës së Reçakut, së bashku me dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një prokuror ndërkombëtar.
Sipas tij, aktgjykimi i rastit – ku një i akuzuar u shpall fajtor për pjesëmarrje në vrasjet në Reçak – ka shërbyer më pas si provë në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit.
Kelmendi bëri publik për herë të parë edhe faktin se gjatë asaj kohe ka punuar nën një identitet tjetër për arsye sigurie.
Ai përmendi se ekzistojnë shkrime të shumta për aktivitetin e tij nën këtë emër, përfshirë edhe reagimet e tij të asaj kohe kundër gjyqtarëve serbë.
Kelmendi tha se mëngjesin e sotëm ka dhënë një deklaratë në Prokurorinë Speciale, e cila, sipas tij, konfirmon versionin e tij të plotë të ngjarjeve.