Besian Mustafa përgënjeshtron keq Kurtin e Bulliqin për rrugën Prishtinë-Podujevë
Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, kanë inspektuar punimet në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë.

Lajme
Ata kanë premtuar se brenda vitit 2022 do të përfundojnë punimet e parapara në këtë rrugë, shkruan lajmi.net.
“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje e cila përveç që e dëmshme është edhe e paarsyeshme, prandaj teksa sektori 2 do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme në mënyrë që kjo rrugë e cila lidh Llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar dhe asisoj njerëzit të mos i kenë këto vështirësi me këtë trafik kaq të dendur i cili duket si në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi ne”, ka thënë Kurti.
Por Kurtin e Bulliqin e ka përgënjeshtruar deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
Në një reagim në Facebook, Mustafa ka thënë se Qeveria është zotuar që këtë rrugë ta përfundojë gjatë vitit 2022, por në buxhetin që e kanë planifikuar vetë, kanë vlerësuar që punimet në këtë rrugë të vazhdojnë edhe në vitin 2023 dhe 2024 me nga 2 milionë euro.
“Në njërën anë deklaruan rreth zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë se “… në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim komplet punimet…” Në anën tjetër në buxhetin që e kanë përgatitë vet kanë vlerësuar se punimet vazhdojnë edhe në 2023 dhe 2024 me nga 2 milionë euro. Në fakt, për vitin 2022 kanë ndarë më së paku buxhet, vetëm 1 milion”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës:
Në njërën anë deklaruan rreth zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë se “… në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim komplet punimet…”
Në anën tjetër në buxhetin që e kanë përgatitë vet kanë vlerësuar se punimet vazhdojnë edhe në 2023 dhe 2024 me nga 2 milionë euro.
Në fakt, për vitin 2022 kanë ndarë më së paku buxhet, vetëm 1 milion.