Besian Mustafa: LDK nuk voton kandidatë pa marrëveshje politike me ta

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se LDK nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar nga partitë me të cilat nuk ka një marrëveshje politike paraprake. “Qëndrimi i LDK-së është ai…

Lajme

22/08/2025 10:50

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se LDK nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar nga partitë me të cilat nuk ka një marrëveshje politike paraprake.

“Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë gjithnjë. LDK nuk voton ndonjë kandidat me të cilin, ose me partinë që nuk ka një marrëveshje politike paraprake”, tha Mustafa para gazetarëve, transmeton lajmi.net

Ai shtoi se mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e gatshme të arrijë një kompromis me partitë tjera parlamentare për të çuar përpara procesin e votimit për kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit.

I pyetur për deklarimet e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, që ka kritikuar opozitën për mosvotimin e Donika Gërvallës për kryeparlamentare, Mustafa u përgjigj duke thënë se vetëm ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së mund të quhen LDK-istë apo rugovistë. “Të vetmit që kanë të drejtën politike, morale dhe çfarëdo tjetër që ta thërrasin veten LDK-istë dhe rugovistë janë ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së dhe askujt tjetër”, theksoi ai./lajmi.net/