Besart Ahmeti po hetohet nga Prokuroria për kanosje, djali i zyrtarit tjetër policor për sulm- Rast edhe për policin e suspenduar nën dyshimin për keqtrajtim

Një sulm fizik u raportua të ketë ndodhur dje pasdite në parkingun e qendrës tregtare “Prishtina Mall”. Siç u raportua fillimisht kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti u sulmua nga dy persona të dyshimtë, njëri 20 vjeç dhe tjetri 16. I njëjti në momentin kur u sulmua ishte bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e…

Lajme

07/09/2026 12:11

Një sulm fizik u raportua të ketë ndodhur dje pasdite në parkingun e qendrës tregtare “Prishtina Mall”.

Siç u raportua fillimisht kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti u sulmua nga dy persona të dyshimtë, njëri 20 vjeç dhe tjetri 16.

I njëjti në momentin kur u sulmua ishte bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Ngjarja theksohet se nisi pas një mosmarrëveshje për parking.

Në lidhje me rastin u deklarua edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa një përgjigje për lajmi.net e dha edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria ka njoftuar se në rast janë të përfshirë disa persona ndërsa tani për tani ka iniciuar rast ndaj tre personave të dyshimtë.

Sipas prokurorisë, zyrtari policor Besart Ahmeti dyshohet për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.

Kurse personi me inicialet Edmond Maxhuni , pjesëtarë i NjRSh-së dyshohet për kryerjen “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”. I njëjti u raportua se dyshohet se ka keqtrajtuar njërin nga të arrestuarit për sulm ndaj Besart Ahmetit.

Me këtë rast theksohet se gjatë trajtimit të këtij rasti, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë në incident.

“Bazuar në informacionet fillestare të pranuara nga hetuesit e IPK-së, njëri nga personat e përfshirë ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në stacionin policor të Graçanicës. Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave të rastit”thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të hetimit, zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ka iniciuar rast edhe ndaj personit me inicialet A.A, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “sulmi”.

Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka inicuar rast ndaj tre (3) personave të dyshuar. Personi me inicialet B.A., dyshohet për kryerjen së veprës penale ”Kanosja”nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi me inicialet E.M. dyshohet për kryerjen së veprës penale ”Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa personi me inicialet A.A., dyshohet për kryerjen e veprës penale ”Sulmi”, nga neni 184 të KPRK-së.”

“Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit po ndërmerrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.”.

Siç mësohet bëhet fjalë për djalin e zyrtarit policor Reshat Aliu, Adonis Aliu.

IPK-ja po ashtu bëri të ditur se në kuadër të hetimit, zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të ndërmerren nga Policia e Kosovës në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent në drejtim të veprës penale të sulmit kurse ndaj zyrtarit policor (me gradën e kapitenit) veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së me dyshimin për veprën penale të kanosjes.

“IPK thekson se hetimi është në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet hetimore po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e të gjitha palëve të përfshira dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.”/Lajmi.net/