Bërnabiq: Haradinaj më ka thënë se ndalesa e hyrjes për zyrtarët serbë është lajm i rremë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq thotë se ka marrë një përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për vendimin e ndalesës së hyrjes për zyrtarët serbë në Kosovë.

Lajme

05/07/2019 11:15

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka thënë se vendimi për ndalimin e hyrjës së zyrtarëve serbë në Kosovë është lajm i rremë, raporton “B92”, transmeton lajmi.net.

Bërnabiq dhe Haradinaj janë pjesëmarrës në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Poznan.

“Më vjen mirë që nga Ramush Haradinaj kam dëgjuar se është lajm i rremë se zyrtarëve serbë u është ndaluar vizita në Kosovë”, deklaroi Bërnabiq nga Poznan, transmeton lajmi.net.

“Por, çuditem që lajme të rreme përcjellin këshilltarët e të ashtuquajturës Ministri të Punëve të Jashtme”, shtoi ajo.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të enjten mori vendimin për ndalesën e hyrjes së cilitdo zyrtarë nga Beogradi në Kosovë.

Vendimi zgjoi reagime të ashpra edhe nga kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq dhe zyrtarë të tjerë të politikës nga Beogradi. /Lajmi.net/