Berisha: Muja është vasal i parapolitikës së PDK’së
Zafir Berisha e quan Ramadan Mujën si vasal të parapolitikës së PDK’së. Ai thotë se Muja nuk i ka bërë vet të gjitha shkeljet për të cilat është dënuar.

Lajme
Zafir Berisha mendon se dorëheqja e Ramadan Mujës është gjëja më e vogël që duhet bërë. Por duke e njohur atë ai thotë se Muja nuk do të reflektojë pozitivisht.
“Dorëheqja është gjëja e vogël që duhet bërë i dënuari Ramadan Muja. Mirëpo, kur kemi parasysh “personalitetin” e tij dhe kush i qëndron mbrapa, dyshoj se do të reflektojë pozitivisht, për shkak se shkolla politike të cilës i takon ai, nuk ka dëshmuar deri më tani përgjegjësi morale tek individët e sojit të tillë”.
Në intervistën dhënë për “Tribuna”, Berisha e quan Ramadan Mujën si “vasal të parapolitikave të partisë së tij”, duke vënë në dyshim se shkeljet për të cilat është dënuar i ka kryet vet.
“Mendoj se Ramadan Muja vazhdon të jetë vasal i parapolitikave të partisë së tij dhe kjo për të cilën është dënuar, dyshoj se është vetëm 10 përqind e shkeljeve që ai ka bërë dhe hetimin e rastit mendoj që është shumë sipërfaqësor, sepse qëndron ajo që trumbeton i dënuari Muja, gjoja që i ka bërë për çështje “humanitare””.
“Dyshoj se mbrapa këtyre vendimeve qëndrojnë interesa shumë më të mëdha të parapolitikës së partisë në pushtet”, ka thënë Zafir Berisha për “Tribuna”.