Berisha: Marrëveshja me Bashën ishte arritje personale e Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar një arritje personale të Ramës marrëveshjen Rama-Basha për zgjedhjet parlamentare.

Lajme

23/05/2017 21:24

Gjatë intervistës në emisionin “Studio e Hapur” në “News 24” Berisha deklaroi se Rama shpëtoi nga humnera dhe shpëtoi atë që mundi.

“Arritja e marrëveshjes ishte një arritje e tij personale. Jo politike. Ishte në fund të fundit thonë francezët ‘shpëto atë që mundesh’. Nuk hyri në histori si njeriu që do të bënte zgjedhjeve moniste çka do të ishte damkosja më e madhe që do t’i bënte vetes. Ai mori kthesën dhe këtu ai ka një arritje personale, ai shpëtoi nga humnera drejt të cilës po ecte me shpejtësi. Nëse politikisht fitoi udhëheqësi i revolucionit demokratik, personalisht fitoi Edi Rama, i cili në momentin e fundit vendosi të ndërmarrë një kthesë. S’ka marrëveshje ku fiton njëra palë plotësisht në kohë paqeje”, tha Berisha.