Beqiri: Pa presidentin Rugova, Kosova nuk do të ishte kjo që është

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë homazhe të varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Lajme

17/02/2020 10:29

Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, pas homazheve të bëra, ka thënë se, Kosova nuk do  të ishte kjo që është, pa Ibrahim Rugovën, raporton lajmi.net.

Beqiri po ashtu ka thënë se ish-presidenti Rugova është meritori i pavarësisë së Kosovës.

“Sot me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, jemi këtu për të nderuar jetën dhe veprën e presidentit historik, Ibrahim Rugova në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jemi këtu për të nderuar njeriun me të cilën lidhen të gjitha ato që sot ne i gëzojmë. Pra ajo rezistencë e jona shumëvjeçare e prirë nga presidenti Rugova dhe pastaj realizimi i gjithë asaj që ka synuar populli i Kosovës, pra pavarësisë. Sot jemi këtu pranë varrit të njeriut i cili ka bërë emër këtij vendi, qytetarëve të Kosovës dhe është ikonë dhe identitet dhe padyshim e kemi thënë dhe do ta themi vazhdimisht: pa presidentin Rugova nuk do të ishte Kosova ajo që është sot gjithmonë me synimin dhe gjakimin tonë, angazhimin tonë që të bëjmë edhe më shumë për të realizuar amanetin e gjithë atyre që e dhanë më të çmuarën edhe jetën edhe djersën edhe mundin. Rugova me punën dhe veprën e tij ka bërë që bota demokratike ta njohë Kosovën, ta njohë me gjitha vuajtjet që i ka pasur dhe ta njoh për synimin që e ka për rrugën e saj euroatlantike”, deklaroi ndër të tjera Beqiri. /Lajmi.net/