Beqë Cufaj tregon për kujdesin e Clark ndaj gazetarëve të Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s
Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka rrëfyer detaje sesi gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, gazetarët kosovarë u trajtuan me kujdes të veçantë nga gjenerali Clark. Këtë rrëfim, Cufaj e ka ndarë pas përfundimit të dëshmisë për sot, të gjeneralit Clark. “Në pranverë të vitit 1999 jetoja dhe punoja në Bonn dhe Bruksel…
Lajme
Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka rrëfyer detaje sesi gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, gazetarët kosovarë u trajtuan me kujdes të veçantë nga gjenerali Clark.
Këtë rrëfim, Cufaj e ka ndarë pas përfundimit të dëshmisë për sot, të gjeneralit Clark.
“Në pranverë të vitit 1999 jetoja dhe punoja në Bonn dhe Bruksel si gazetar. Ishte një Evropë që po e mbyllte shekullin pas dy luftërave botërore. Tragjikisht po mbyllej edhe me një luftë të re në hapësirën e ish Jugosllavisë. Një shteti prej 22 milion banorësh nga i cili lindën disa shtete të reja. Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova.
Ajo pranverë ishte historike. Për herë të parë që nga themelimi i saj NATO po zhvillonte një luftë. Nën komandën e Gjeneralit amerikan Wesley Clark aleanca po godiste regjimin e Millosheviqit.
Kurrë nuk do ta harroj briefingun në SHAPE, të udhëhequr nga vetë Gjenerali Clark. Dhjetëra gazetarë nga e gjithë bota, po aq pyetje. Por ne gazetarët nga Kosova- Augustin Palokaj, Afrim Gjonbalaj dhe Ekrem Krasniqi kishim përparësi.
Edhe pas konferencës për shtyp Gjenerali Clark shprehu dëshirën të na takonte veçmas. Na pyeti për familjet, për qytetet, për lagjet tona. Ndarja me të nuk ishte ndarje. Ai u dha asistentëve të tij detyrën të kujdeseshin për ne derisa të mbaronim punë”, ka shkruar ndër të tjera Cufaj në Facebook-un e tij.
“Çfarë kujtimi.
Dhe sot, kur e shoh Gjeneralin Clark duke dëshmuar në Hagë në procesin kundër udhëheqësve të UÇK, nuk mund të mos e rikujtoj atë ditë. Ato fjalë, atë njerëzi. Ai nuk ishte vetëm një gjeneral ushtrie. Ai ishte gjeneral në karakter, në humanizëm dhe në kurajo”, ka përfunduar ai.