Beogradi zbulon se si po e përdor në diplomaci mosnjohjen e Kosovës nga Vatikani

11:19 | 22 Tetor 2021

Kosova ende nuk ka marrë njohjen e pavarësisë nga shteti i Vatikanit, i cili me territor është shumë i vogël, por ka një ndikim shumë të madh, pasi aty është Selia e Shenjtë e katolikëve.

Një rast të tillë nuk po e humb Serbia për të dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ajo po përdor mosnjohjen e pavarësisë nga Vatikani për të ndikuar te vendet e tjera që kanë lidhje të fortë me Selinë e Shenjtë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, së fundmi ka vizituar Vatikanin, sipas sekretarit të kësaj ministrie Nemanja Staroviq, ka marrë mbështetjen e Selisë së Shenjtë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, që serbët po e shohin si mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Aq sa të komplikuara kanë qenë dikur marrëdhëniet ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Katolike, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Vatikanit janë shumë të vlefshme për ne, duke pasur parasysh se Selia e Shenjtë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se autoriteti i vendit në arenën ndërkombëtare është jashtëzakonisht i madh”, shpjegon Staroviqi.

Pozicionimi i Vatikanit, sipas këtij zyrtari serb, ka ndikim direkt në pozicionimin e dhjetëra shteteve sovrane, që kryesisht shtrihen në Amerikën Latine. Në arenën e diplomacisë Serbia këtë e sheh si përparësi që të ndërtojë argumentin për mosnjohje të Kosovës.

Në një takim me Papa Françeskon në shtator të vitit 2019, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte thënë se e ka lutur që të mos e njohin Kosovën.

Duhet të kujtojmë që liderët kosovarë kanë takuar disa herë papët e Vatikanit ndër vite. Ishte ish-presidenti Ibrahim Rugova që kishte takuar Papa Gjon Palin II. Më pas Hashim Thaçi kishte takuar Papa Françeskon, të cilin e takuan edhe Ramush Haradinaj e Atifete Jahjaga.