Beograd, bllokadë 24-orëshe e nyjës kryesore të Autokomandës

Studentë të fakulteteve të Beogradit, duke filluar nga ora 10:00, kanë bllokuar Autokomandën, e cila do të zgjasë 24 orë. Ata planifikojnë ta mbushin bllokadën e tyre me aktivitete të ndryshme, duke paralajmëruar vazhdimin e luftës për përmbushjen e kërkesave. Pas grevës së përgjithshme të mbajtur më 24 janar, studentët në Serbi kaluan në një…

Lajme

27/01/2025 10:45

Studentë të fakulteteve të Beogradit, duke filluar nga ora 10:00, kanë bllokuar Autokomandën, e cila do të zgjasë 24 orë. Ata planifikojnë ta mbushin bllokadën e tyre me aktivitete të ndryshme, duke paralajmëruar vazhdimin e luftës për përmbushjen e kërkesave.

Pas grevës së përgjithshme të mbajtur më 24 janar, studentët në Serbi kaluan në një qasje pak më radikale duke organizuar një aksion të ri, një bllokadë 24-orëshe të një prej nyjeve më të rëndësishme të trafikut në Beograd, Autokomandës. Kjo bllokadë ka filluar të hënën, më 27 janar, në orën 10:00 dhe do të zgjasë 24 orë.

Studentët kanë njoftuar për një program të plotë aktivitetesh gjatë ditës. Në orën 11:52 është planifikuar 15 minuta heshtje në shenjë kujtimi për viktimat e aksidentit në Novi Sad. Pas kësaj do të vazhdojnë ngjarje të tjera gjatë ditës dhe mbrëmjes.

“Gjatë bllokadës do të organizohen aktivitete të ndryshme, do të kemi pajisje ngrohëse, aktivitete si ‘çaj me studentët’, futboll të vogël, turne shahu dhe bllokada do të organizohen në ndërrime katër-orëshe. Kjo është një mundësi për t’u njohur dhe për të kaluar kohë së bashku”, thuhet në deklaratën e studentëve të Fakultetit Juridik.

Qëllimi i bllokadës, sipas studentëve, është një protestë paqësore që dërgon një mesazh të qartë pa incidente. Kujdestarët do të jenë të ngarkuar për të dhënë udhëzime dhe për të koordinuar gjatë gjithë ngjarjes.

Bllokada përfshin rrethrrotullimin, por jo edhe segmentin e autostradës Beograd-Nish.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se bllokada e Autokomandës është e paligjshme, por se është e rëndësishme që policia të sigurojë të gjithë pjesëmarrësit e bllokadës dhe qytetarët e tjerë.

“Bllokada është e paligjshme, por policia duhet të sigurojë tubimin dhe të ndihmojë qytetarët e Beogradit në krijimin e kushteve për një jetë normale dhe funksionim. Jeta e studentëve dhe e të gjithë qytetarëve të tjerë është vlera më e lartë për ne, prandaj është e rëndësishme që policia, larg nga vendi i ngjarjes, të ndalojë çdo trafik”, tha Vuçiq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, njoftoi se policia do të rregullojë trafikun gjatë bllokadës,rtk.

Studentët thanë se kjo bllokadë organizohet për shkak se kërkesa për publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku më 1 nëntor ndodhi rrëzimi i strehesë kur vdiqën 15 persona ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë, nuk është përmbushur.

Ata gjithashtu theksojnë se edhe kërkesat e tjera, që përfshijnë hedhjen poshtë të akuzave kundër studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar gjatë protestave të mëparshme, ngritjen e padive penale kundër të gjithë sulmuesve ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve, si dhe rritjen e buxhetit për fakultetet me 20 për qind, nuk janë përmbushur.

Përveç këtyre kërkesave specifike, qytetarët kërkojnë vendosjen e sundimit të ligjit, demokracisë dhe ndalimin e korrupsionit sistematik në Serbi.

Ndryshe, protestat tani organizohen çdo ditë në mbi 130 qytete dhe vendbanime në Serbi, duke përfshirë tubime, bllokada dhe marshime. Në Beograd, më 26 janar, në orën 20:00, u mbajt protesta “Me zhurmë kundër diktaturës”, kur qytetarët nga ballkonet dhe dritaret e tyre bënë zhurmë duke goditur tenxhere, përdorur bilbila dhe vuvuzela.

Mbi 60 fakultete në të gjithë Serbinë janë aktualisht në bllokadë. Gjithashtu, një pjesë e shkollave fillore dhe të mesme në të gjithë Serbinë nuk kanë mësim.

Studentët deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të plotësohen. Ata kanë mbështetjen e mësuesve, profesorëve universitarë, avokatëve, gjyqtarëve, bujqve, sipërmarrësve dhe qytetarëve në mbarë Serbinë.

Dokumentacion i ri mbi tragjedinë në Novi Sad

Ndërkohë, edhe pse autoritetet në Serbi më parë kishin deklaruar se i gjithë dokumentacioni mbi rinovimin e Stacionit Hekurudhor ishte publikuar, Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ka publikuar një dokument të ri të quajtur “Dokumentacioni i mbetur, pjesa e tretë.”

Në njoftim thuhet se dokumenti ofron një pasqyrë të të gjitha provave dhe informacioneve të disponueshme të mbledhura gjatë procedurës paraprake dhe hetimore. Në këtë mënyrë, prokuroria ka vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin për këtë rast.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga qeveria, investitorët, kontraktorët dhe prokuroria që të publikojnë të gjitha dokumentet lidhur me rinovimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, për të cilat Fakulteti i Ndërtimtarisë pretendon se mungojnë.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, të shtunën njoftoi se dokumente të reja do të publikohen të hënën në faqet e internetit të Qeverisë së Serbisë.

“Duhet t’i kërkojmë partnerëve tanë kinezë që të na lejojnë të publikojmë dokumentacionin që është në posedimin e tyre, e që ka të bëjë me kontraktorin kinez dhe nënkontraktorët e tij, pasi kjo nuk është diçka që qeveria e ka në dispozicion,” tha Vuçeviq.