Bekimi ekonomik i Papës, sa milionë euro fitoi Shqipëria? (Video)

Sipas përllogaritjeve të agjencive të huaja, mendohet se në Korenë e Jugut, vizita 5 ditore e Papës solli të ardhura në vlerën e 500 milionë dollarëve. Po Shqipëria, sa "fitoi" nga vizita e Atit të Shenjtë? 

Lajme

23/09/2014 17:55

Vizitat e Papa Françeskut në botë flasin për qindra milionë dollarë që u janë injektuar ekonomive vendase.

Mediat e huaja kanë shkruar se vizita e Papa Françeskut edhe në Shqipëri pritet të jetë një bekim ekonomik.

Bazuar në të dhënat kufitare, vetëm për tri ditë nga 19 deri më 21 shtator kanë hyrë mbi 70 mijë qytetarë brenda kufijve të Shqipërisë, nga të cilët numrin më të madh e nxënë të huajt me mbi 37 mijë persona.

Sipas informacioneve nga Agjencia Kombëtare e Turizmit thuhet se të gjitha njësitë e akomodimit në Tiranë dhe rreth saj ishin të zëna për tre ditë me radhë.

Në Tiranë ka 180 hotele dhe sipas përgjegjësit kombëtarë të akomodimit këto njësi ishin të rezervuara për më shumë se një ditë me turistë që vinin kryesisht nga Evropa por edhe nga Amerika Latine.

Aktualisht nuk është llogaritur ende fatura e ndikimit ekonomik nga vizita që bënë pelegrinët në Shqipëri, por nga Agjencia Kombëtare e Turizmit ka informacione se pelegrinët e huaj por edhe të rajonit  janë ndalur nëpër restorante parukeri dhe dyqane.

Në daljen e tij publike kryeministri Rama deklaroi se ardhja e klerit të lartë e dha ndikimin e vet për të ngritur lartë imazhin e Shqipërisë në sytë e botës.

Vizita e Papës solli në Tiranë qindra gazetarë dhe mijëra pelegrinë. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit pohon se ka parë dhe vlerësuar vizitën e Papa Françeskut si një mundësi të papërsëritshme për të ua treguar Shqipërinë atyre që vijnë për herë të parë, por edhe atyre që duan ta njohin më mirë atë.

Edhe pse Papa ka theksuar se dinjiteti i njerëzimit është më i rëndësishëm se çdo përfitim ekonomik, vizita e tij në Kore nxiti konsumin në këtë vend. Instituti i kërkimeve “Hyndai” me bazë në Seul theksoi se vizita pesëditore solli një ndikim ekonomik prej 500 milionë dollarësh.

E njëjta vlerë të ardhurash është deklaruar nga qeveria braziliane për vizitën e Papës atje gjatë vitit të kaluar.

Pas Shqipërisë, vendet që do të vizitojë Papa pritet të jenë më të preferuara nga turistët dhe pelegrinët në të ardhmen. (Top Channel)