Bekim Haxhiu: Në pandemi u vodhën edhe qeset e kufomave

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu ka deklaruar se hajnia në tendere nga ministria e Shëndetësisë ishte shumë e madhe.

Lajme

29/05/2020 13:00

Haxhiu tha se vjedhja ishte nga paracetamolli e dorëzat dhe deri në qeset e kufomave në kontratat e nënshkruara nga ministria.

Ai tha se një maskë e cila në treg gjendet me 0.95 cent, është blerë nga ministria e Shëndetësisë me çmimin prej 8.50 euro, pra diku afro 3500% më shtrenjtë.

“Një maskë pp2 respiratore që në rajon gjendet me 0.95 cent e deri në 1.21 cent , ministria e shëndetësisë e ka paguar me çmim 8 euro 50 cent, gjithashtu edhe me maska kirurgjike, QKUK ka pasur kontratë valide me 0.16 cent, ndërsa ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar maska me çmim 0.56 cent, pra për afro 3500 % më shtrenjtë ka kontaktuar blerjen e tyre, po ashtu është vjedhur prej paracetomillit e dorëzave deri te qeset e kufomave”, tha Haxhiu në RTK.

Po ashtu Haxhiu tha të gjitha këto dëshmi që janë pranuar edhe nga zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë, janë dorëzuar në prokurori për hetime.

“Komisioni Parlamentar tanimë e ka zyrtarizuar për hetim në organet e prokurorisë, në mbledhjen që e kemi pasur janë shqyrtuar dokumentacioni nga ministria e Shëndetësië, të gjitha këto dokumentacione të dorëzohen ne prokurori, pasi ka dyshime për fryrje të çmimeve deri në 3500%, kontrata të dyfishta”, tha Haxhiu.