Bejta reagon thotë se u sulmua edhe asambleisti Sami Salihu: Dhuna nuk do ta ndalë zërin politik

Asambleistja e LDK-së në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta, ka reaguar ashpër, teksa ka thënë se është sulmuar edhe kolegu i saj, Sami Salihu, pas seancës së Kuvendit të Kryeqytetit. Ajo e cilësoi incidentin si një akt të rëndë dhe të papranueshëm, që, sipas saj, është kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin…

Lajme

24/09/2025 13:51

Asambleistja e LDK-së në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta, ka reaguar ashpër, teksa ka thënë se është sulmuar edhe kolegu i saj, Sami Salihu, pas seancës së Kuvendit të Kryeqytetit.

Ajo e cilësoi incidentin si një akt të rëndë dhe të papranueshëm, që, sipas saj, është kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, Fehmi Kupina.

Bejta tha se ky sulm përbën një goditje ndaj demokracisë dhe institucioneve, ndërsa theksoi se Grupi i Asambleistëve të LDK-së qëndron i palëkundur në mbështetje të Salihut dhe angazhimit për të mbrojtur interesin qytetar.

Ajo falënderoi Policinë e Kosovës për ndërhyrjen dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë.

“Ne Grupi i Asambleistëve të LDK-së, e dënojmë fuqishëm këtë akt të shëmtuar, që synon të frikësojë dhe të nënshtrojë zërin e lirë politik”, ka shkruar ajo në profilin e saj në facebook. /Lajmi.net/