Behgjet Pacolli ndihet “tmerrësisht keq” për moskonstituimin e Kuvendit: A e shihni sa keq është kur dikush nuk e do vendin e vet?
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës edhe në seancën e 26-të e cila u mbajt sot. Ai përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur “poshtërsi” këtë që po ndodh në Kuvend, shkruan lajmi.net. “Mua dikur më quanin servil, të paditur e të paaftë për politikë – vetëm…

Lajme
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës edhe në seancën e 26-të e cila u mbajt sot.
Ai përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur “poshtërsi” këtë që po ndodh në Kuvend, shkruan lajmi.net.
“Mua dikur më quanin servil, të paditur e të paaftë për politikë – vetëm sepse zgjidhja krizat politike, pa marrë parasysh se kush ishin partitë apo partnerët. E bëja për Kosovën, sepse e dija se çdo bllokadë politike e dëmton vendin”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka thënë se është shumë keq kur dikush nuk e do vendin e vet dhe e përdor postin publik për interesa të veta për inate, për hesape politike dhe jo për të përfaqësuar qytetarët që ua dhanë votën.
“Për të 26-tën herë Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryesuesin e tij – një funksion bazë, elementar i funksionimit institucional. Një krizë që as nuk do të duhej të ekzistonte në një demokraci të vërtetë, po e fundos shtetin. Po e zvarrit të ardhmen. Po e mbyt shpresën. Çfarë tregon kjo? Se nuk po kemi më përfaqësues të popullit, por individë të përqendruar në interesa personale, në pazare politike dhe në luftë për pushtet. Jo për shtetin, jo për qytetarin, por për veten”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka thënë se është keq të shfrytëzosh paranë e popullit për të mos bërë as minimumin e detyrës.
“Kosova ka nevojë për udhëheqës, jo për kalkulues poste. Për vizion, jo për inate personale. Për përgjegjësi, jo për sabotim institucional. Kjo që po ndodh është turpi më i madh politik i viteve të fundit. Është një sinjal alarmi që duhet të zgjojë çdo qytetar: sepse nëse ata që i kemi zgjedhur nuk e kryejnë as detyrën më të thjeshtë, atëherë nuk meritojnë të qëndrojnë asnjë ditë më shumë në ato poste”, ka shkruar Pacolli.
Krahas postimit, ai ka thënë se po ndjehet “tmerrësisht keq” për këtë situatë të krijuar në Kuvend. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: