Bëhen bashkë aktorët e “Kafeneja Jonë” për një serial të ri, producenti zbulon për lajmi.net të gjitha detajet

Vendit tonë pothuajse asnjëherë nuk i kanë munguar serialet vendore të cilat na kanë argëtuar për vite më radhë e gjithë kjo falë aktorëve tanë profesionist.

ShowBiz

24/02/2021 22:02

Por gjithmonë ka hapësire për të ofruar diçka të re, ashtu siç kanë bërë disa nga aktorët e njohur të vendit tonë së fundi duke përgatitur një serial të ri të cilin shumë shpejt do të kemi mundësinë ta shikojmë në televizionet tona, shkruan lajmi.net.

Në një prononcim për lajmi.net, producenti Lumbardh Kukaj ka dhënë detaje ekskluzive për serialin.

”Bufe e parlamentit”, mban emrin seriali i cili do të trajtoj zhvillimet politike në një frymë komike që do ta bëjnë tejet interesant atë.

Producenti Lumbardh Kukaj u pyet nga lajmi.net se a ka qenë arsyeja e zhvillimeve të fundit politike për realizimin e këtij seriali.

Ai tha: “Shumica e ideve për me prodhu një serial/film nisen duke u bazu në përditshmërinë e secilit neve e për me nis ky projekt nuk ka qenë faktor një zhvillim i caktum politik po me vetë faktin që politika është bërë temë kryesore në shoqërinë tonë  na ka nxit neve që me kriju një sitkom edhe me i jep një qasje komike ngjarjeve politike në vendin tonë. Personazhet e serialit janë personazhe imagjinare nuk janë personazhe të cilat janë të bazuara në ndonjë politikan të caktum”.

Theksojmë se në këtë seri do të luajnë disa nga aktorët që kanë qenë pjesë e serialit ”Kafeneja Jonë”.

Fatmir Spahiu, Donat Qosja, Fatos Kryeziu, kurse të tjerë janë Venera Koxha, Anila Krasniqi, Ilir Prapashtica, Bislim Muçaj dhe të tjerë. Kurse skenarist është Astrit Kabashi, regjisor Genc Berisha.

Duke e parë faktin se seriali do të realizohet me disa nga aktorët e serialit “Kafeneja Jonë”, producenti u shpreh se nuk ka asnjë ngjajshmëri me këtë serial.

Ndryshe, nga e diela “Bufe e Parlamentit” do të transmetohet në RTK./Lajmi.net/