Begaj i uron myslimanëve agjërim të lehtë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë ramazan sa më të begatë e agjërim sa më të lehtë. Ai ka uruar që bujaria dhe solidariteti, dy tipare thelbësore të këtij muaji, të mbizotërojnë te secili për t’u afruar më shumë me Zotin. “Le të kujtojmë e të kujdesemi dhe për…

Lajme
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë ramazan sa më të begatë e agjërim sa më të lehtë.
Ai ka uruar që bujaria dhe solidariteti, dy tipare thelbësore të këtij muaji, të mbizotërojnë te secili për t’u afruar më shumë me Zotin.
“Le të kujtojmë e të kujdesemi dhe për ata që pamundësia i ka bërë të mos gëzohen si gjithë të tjerët, e t’i ndihmojmë me bindjen e plotë se dhënësi përfiton më shumë se marrësi. Muaji i Ramazanit mbart në vetvete edhe një tjetër bekim: mundësinë për të ruajtur lidhjet familjare e për të respektuar çdokënd me të cilët bashkëndajmë këtë vend. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’u bërë më të mirë e për ta bërë edhe vendin tonë më të begatë”, ka shkruar ai në Facebook.
Përndryshe, myslimanët sot kanë nisur muajin e ramazanit, i cili përfundon të shtunën e 29 marsit. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava u ka bërë thirrje besimtarëve për vepra të mira dhe për ruajtje të unitetit e mospërçarjes.
Sipas tij, agjërimi duhet të bëhet me lutje, bamirësi dhe solidaritet, pasi muaji Ramazan është mundësi e mirë që vjen një herë në vit dhe se agjërimi ka dobi e urtësi.