Bedri Hamza pas bisedës me Hashim Thaçin në telefon: Besojmë se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, me të cilin ka diskutuar për Kosovën, familjet dhe pritjet për epilogun e procesit gjyqësor në Hagë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza tha se gjatë bisedës kanë folur edhe për vonesat…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, me të cilin ka diskutuar për Kosovën, familjet dhe pritjet për epilogun e procesit gjyqësor në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza tha se gjatë bisedës kanë folur edhe për vonesat e vazhdueshme në shpalljen e aktgjykimit, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të deformohet, raporton lajmi.net
“Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka shkruar Hamza.
Postimi i tij i plotë:
Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi. Edhe me Presidentin, ashtu si me Kryetarin Veseli disa ditë më parë, folëm për Kosovën, familjet, miqtë tanë dhe, mbi të gjitha, për qytetarët që nuk kanë reshtur asnjë ditë së besuari në rikthimin e tyre.
Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet.
Presidentit ia përcolla përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe ata do të kthehen të lirë në shtëpi.
Edhe ai më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve. Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë.
Dielli do të lindë përsëri! ![]()
Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!/Lajmi.net/