Bedri Hamza nga Skenderaj premton: Do t’i investojmë mbi 6 miliardë euro në projektet kapitale dhe zhvillimore

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se programi i tij është përqendruar në masat që duhet të merren për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. “Në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e arsimit që të përgatiten gjeneratat e reja për vendet e punës. Në shërbime mjekësore pa pagesë për të gjithë, dyfishim…

Lajme

16/01/2025 17:48

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se programi i tij është përqendruar në masat që duhet të merren për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e arsimit që të përgatiten gjeneratat e reja për vendet e punës. Në shërbime mjekësore pa pagesë për të gjithë, dyfishim i buxhetit për barna e trajtim për sëmundjet në spitalet e Kosovës. Në hapa për të ndihmuar familjet të përballojnë koston e jetës. Në ndërtim të infrastrukturës e ndërtim të sigurisë energjetike për Kosovën. Do të investojmë mbi 6 miliardë euro në projektet kapitale dhe zhvillimore. Në hekurudha, infrastrukturë rrugore, energji dhe ujë”, ka thënë Hamza.

Hamza ka thënë se do të përqendrohet në kthimin e Kosovës në rrugën e integrimit në NATO dhe në BE.

Në takimet nëpër krejt vendin, Hamza ka thënë se ka dëgjuar nga secili shqetësimet, ëndrrat, shpresat, ambiciet, pritjet dhe preokupimet se çka duhet të bëjë shteti për ju.

“Nga këto takime kam mësuar se çfarë duhet të ofrojë programi im, cilat janë zgjidhjet që kërkoni dhe si duhet të jetë Kosova. Por, mbi të gjitha, kam kuptuar që Kosova mund të bëhet shteti që e dëshironi ju, që Kosova mundet ma mirë”, ka thënë ai. /Lajmi.net/