Bechtel&Enka “zbraz” minierën AKP-së

Një nga thesaret e mineraleve që ka Kosova po zbrazet në bazamentin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e cila ka nisur të ndërtohet rishtazi. 

Lajme

22/10/2014 09:09

Ky është thesar që ia pretendojnë pronësinë dy subjekte.

Bëhet fjalë për ndërmarrjen e privatizuar Miniera dhe Industria e Magnezit (MIM) “Golesh”, të cilën me një vendim të marrë në fund të gushtit e ka kthyer në administrim Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), shkruan sot Koha Ditore.

Kjo me arsyen se blerësi nuk kishte arritur të përmbushte kushtet me të cilat e kishte bërë privatizimin, si për investimet, ashtu edhe për numrin e të punësuarve.

Megjithëkëtë, akoma AKP-ja nuk është pronari faktik.

Hysni Gashi deklarohet se është drejtori i përgjithshëm i ndërmarrjes, të cilën Bordi i AKP-së, formalisht ia ka marrë.

Ai vazhdon të punojë në zyrën e tij dhe madje kohët e fundit ka intensifikuar punimet në mënyrë që të prodhojë magnezit.

Zogaj ka treguar se ka marrëveshje legale për zhavorrin me kompaninë “Bechtel Enka”.

“Unë kam marrëveshje valide dhe kam licencë për zhavorr. Vetëm në një komunikatë shtypi kam lexuar diçka se AKP-ja ka marrë një vendim për ndërmarrjen time, por mua kurrkush nuk më ka sjellë ndonjë vendim”.

Nuk bëhet fjalë për të ma marrë ndërmarrjen. Kam investuar rreth 31 milionë euro dhe kam të punësuar rreth 200 veta”, është shprehur ai.

Kompania “Goleshi” është privatizuar në dhjetor të 2007-s nga blerësi “IMING d.o.o”, ndërsa marrëveshja ka përfunduar më dhjetor të 2009-s.

Sipas marrëveshjes blerësi ishte zotuar se do të bënte investime kapitale në vlerë prej 16.2 milionë eurosh, si dhe do të punësonte 178 punëtorë gjatë 6-mujorit të parë, ndërsa në fund të vitit të parë numri i të punësuarve do të arrinte gjithsej 355 punëtorë.

Në gusht të këtij viti, Bordi i AKP-së kishte konstatuar se kjo kompani nuk ka plotësuar zotimet dhe ishte vendosur që t’i tërhiqen aksionet.

“Bordi i Drejtorëve i AKP-së në mbledhjen e mbajtur në muajin gusht të këtij viti, ka vendosur për tërheqjen e aksioneve në këtë mdërmarrje si pasojë e mospërmbushjes së zotimeve kontraktuese nga ana e blerësit. AKP-ja është në proces të ekzekutimit të këtij vendimi për tërheqjen e aksioneve, që nënkupton kryerjen e procedurave administrative për këtë qëllim”, ka thënë për KD, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.