BE vazhdon thirrjet për heqjen e taksës: E vetmja mënyrë për vazhdimin e dialogut

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur i “ngrirë që nga nëntori i vitit të kaluar, përkatësisht që nga dita kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Lajme

20/04/2019 20:17

Ndonëse ky vendim u mbështet nga qytetarët e Kosovës, ndryshe reagoi Bashkimi Evropian, zyrtarë të cilës vazhdimisht deklaruan se taksa duhet hequr. Po ashtu, kundër u shprehen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, vendimi i Qeverisë Haradinaj për taksë mbeti i palëkundur.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq për Indeksonline nëpërmjet emailit ka thënë se për tarifat dhe hapat e tjerë në dialog, pozicioni i tyre është i qartë. Ajo ka thënë se nuk ka alternativë tjetër për vazhdimin e dialogut, pos heqjes së taksës.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, BE se bashku me shtetet anëtare dhe SHBA, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat në mënyrë që të lejojë rifillimin e shpejtë të dialogut. Nuk ka alternativë tjetër për rifillimin e shpejtë të dialogut ndërmjet dy palëve”, thuhet në përgjigjën e saj.

Sipas Koçijançiq këto tarifa doganore po bllokojnë jo vetëm dialogun, por edhe rrugën evropiane.

“Tarifat jo vetëm qëndrojnë në rrugën e dialogut, por gjithashtu qëndrojnë në rrugën evropiane të Kosovës”, ka theksuar ajo në përgjigjën e saj.

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi për Indeksonline thotë se ka alternativa të tjera, por sa janë realiste nëse Serbia ngul këmbë tek taksa dhe që BE-ja nuk i bënë presion.

“Sigurisht se ka alternativa tjera, por problem është sa janë ato realiste nëse Serbia ngulë këmbë se nuk ka vazhdim të dialogut pa heqjen e taksave dhe BE-ja nuk bënë presion në Serbinë,( çfarë edhe po ndodh), që të jetë edhe ajo fleksibile”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të pezulloj taksën përkohësisht që t’i jepet shansi dialogut.

“Nuk hiqet taksa, por për një periudhë p.sh. tre a katër muaj ndërpritet aplikimi i saj deri sa vazhdojnë bisedimet, dhe në momentin që kuptohet që nuk ka gjë prej dialogut, taksa vazhdon te aplikohet. Po kështu, nëse dialogu ka sukses, atëherë taksa hiqet krejt”, ka thënë mes të tjerash Maliqi.

Ndërsa, ka theksuar se edhe nëse deri tani ka pas sukses taksa në raport me Serbinë, atëherë duhet hapur rrugët për një marrëveshje përfundimtare që stabilizon jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

“Argumenti tjetër për pezullimin e taksës është se për këtë insistojnë aleatet tanë ndërkombëtare, SHBA-të dhe sponsoret evropian të Pavarësisë së Kosovës. Kosova nuk e ka luksin që të çoj inate ose te prishet me SHBA-në e as me BE-në. Edhe, nëse taksa deri tash ka pas sukses relativ në raport me Serbinë, me të cilën kemi pasur bilan tejet negativ tregtare, tani taksa e ka përbush funksionin dhe duhet të hapim rrugët për një marrëveshje përfundimtare qe e stabilizon Kosovën, por edhe rajonin”, ka thënë tutje Maliqi.

Ndërsa, në një përgjigje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës thuhet se Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë duhet të jenë fleksibile në negociatat mes dy vendeve.

”Shtetet e Bashkuara i kanë  inkurajuar qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të jenë edhe kreative edhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj këtyre negociatave – këto cilësi nevojiten tash më shumë se kurdo për të sjellë palët prapa te tavolina e negociatave”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar se taksa nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ndërsa,  Presidenti i Serbisë ka thënë se nëse deri me gjashtë maj nuk hiqet taksa, atëherë  ata do të ndërmarrin masa, duke këmbëngulur që dialogu do të vazhdoj vetëm pas heqjes së tarifave doganore.