BE thotë se Kosova e kaloi provimin

Misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet e 1 dhjetorit. Në përgjithësi, sipas këtij misioni, integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm dhe njerëzit kanë pasur mundësi të votojnë lirshëm e pa pengesa.

Lajme

03/12/2013 11:22

Misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve e vlerësoi me notë pozitive procesin e votimit në pothuajse të gjithë 330 vendvotimet e vëzhguara.

Në përgjithësi, sipas këtij misioni, integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm, por kishte edhe raportime të fotografimit të fletëvotimit dhe raste të votimit familjar.

Vëzhguesit nga Misioni i BE’së, në deklaratën preliminare, vlerësojnë se numërimi është kryer shpejtë dhe pa parregullsi të mëdha.

Shefi i Misionit Vëzhgues të BE’së, Roberto Gualtieri, tha se është i kënaqur që trendi pozitiv i vërejtur në zgjedhjet e 3 nëntorit është konfirmuar edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve”.

“Njerëzit patën mundësi të votojnë lirshëm dhe pa pengesa. Me këto zgjedhje, Kosova po shënon përparim të mëtejmë në rrugën e saj demokratike”.

“Shpresoj që këto zhvillime inkurajuese që i kemi vërejtur gjatë këtyre zgjedhjeve do të vazhdojnë deri në fund të procesit dhe se ato do të vënë themelet e forta të zhvillimit të ardhshëm demokratik të Kosovës”.

“Suksesi i këtyre zgjedhjeve gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Sipas Misionit Vëzhguesi të BE’së ambienti i përgjithshëm politik ishte i qetë, ndonëse, siç thuhet në deklaratë,  kishte tensione dhe pretendime të presioneve ndaj votuesve dhe blerjes së votave në disa komuna.

“Të gjithë garuesit kanë mundur të bëjnë fushatë lirshëm dhe kanë gëzuar qasje në media për t’i përcjellë porositë e tyre tek elektorati”.

“Ngjashëm me fushatën në raundin e parë, mbulimi i mediave pasqyronte aktivitetet e subjekteve politike, ku LDK ishte subjekti më i mbuluar në shumicën e mediave të monitoruara në gjuhën shqipe”.

“Në raportimet e lajmeve politike në stacionet e monitoruara televizive në gjuhën serbe mbizotëronte G.I. ‘Srpska’”.

Vëzhguesit e BE’së gjithashtu kanë identifikuar disa elemente të procesit të zgjedhjeve të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje më e madhe nga Kosova në të ardhmen.

“Më shumë se gjysma e fletëvotimeve të dërguara përmes votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 3 nëntorit janë shpallur të papranueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak se nuk kishin kopje të një dokumenti të vlefshëm identifikues”.

“Procesi i numërimit të rezultateve të raundit të parë ishte i gjatë dhe kompleks dhe informatat në dispozicion në lidhje me saktësinë e materialeve zgjedhore dhe rezultateve të numëruara ishin të kufizuara. Në një masë kjo ka ulur transparencën e procesit”.

Por, për dallim nga raundi i parë, në komunat veriore me shumicë serbe nuk u vërejt fushata kundër zgjedhjeve, thuhet tutje  në deklaratën preliminare të vëzhguesve të BE’së.

“Sikurse në raundin e parë, Misioni i OSBE’së në Kosovë ka vazhduar rolin e saj të lehtësimit të zgjedhjeve në komunat veriore dhe votimit jashtë Kosovës”.

“Në shumicën e rasteve, rezultatet e raundit të parë nuk u kontestuan publikisht, edhe pse subjektet politike ngritën disa shqetësime, përfshirë edhe ato për numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme, pasaktësi në listat e votuesve dhe kohën e gjatë që mori numërimi dhe shpallja e rezultateve”.

“Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli periudhën e fushatës zyrtare për raundin e dytë, e cila do të ishte prej 25-29 nëntor. Para kësaj, fushata disi kishte pushuar por ajo filloi të merrte hov javën e fundit para raundit të dytë”.

“Shkalla, kompleksiteti dhe kohëzgjatja e aktivitetit të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve , dhe informatat e kufizuara që u vunë në dispozicion, nënkuptonin se transparenca e procesit ishte disi e kufizuar dhe se për vëzhguesit e kishin të vështirë ta përcillnin këtë operacion”.

“Pas incidenteve në Mitrovicë të Veriut më 3 nëntor, votimi në katër komunat veriore përfundoi para kohe. Megjithatë, KQZ vendosi që t’i shpallë rezultatet për tri komuna (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok). Votuesve të cilët do të kishin votuar pas mbylljes së parakohshme të vendvotimeve (VV) nuk ju dha mundësia për të votuar”.

“Në 27 vendvotime në Mitrovicën e Veriut votimi u përsërit me 17 nëntor. Votimi kaloi pa incidente, me një prani të madhe të forcave të sigurisë. Për shkak të shqetësimeve për sigurinë, numërimi u bë në QNR afër Prishtinës, jo në vendvotime”.

“Më shumë se gjysma e fletëvotimeve të dërguara nga vendet jashtë Kosovës u refuzuan sepse nuk përmbanin kopjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit”.

“Megjithatë, sipas fletëpalosjes së KQZ’së në gjuhën serbe për informim të votuesve, do të ishte i pranueshëm edhe një shënim me emrin dhe të dhënat e tyre personale. Me ketë, votuesve që kishin zgjedhur ketë variant u ishte mohuar në mënyrë të padrejtë e drejta e votimit. Prandaj, zbatimi teknik i procesit të votimit jashtë Kosovës ishte i pasuksesshëm, përkundër përpjekjeve të ndryshme për lehtësimin e tij”.

“Mbulimi i fushatës nga mediat fitoi në dinamikë javën e fundit, duke përfshirë edhe përmes raportimeve të zgjeruara të lajmeve, debateve të kandidatëve dhe spoteve reklamuese. Mediat u dhanë mundësi garuesve që t’i përcjellin mesazhet e tyre në mënyrë të lirshme”.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pati kryesisht një qasje formaliste në procedimin e ankesave pas raundit të parë, zakonisht pa bërë hetime për dëshmitë, dhe duke hedhur poshtë shumicën e tyre”.

“Votimi dhe numërimi në pjesën më të madhe të Kosovës kaloi i qetë dhe qytetarët patën mundësi të votojnë lirshëm dhe pa u penguar. MBEVZ e vlerësoi pozitivisht procesin në pothuaj të gjitha vendvotimet e vëzhguara. Në një incident të rëndë në komunën e Parteshit, disa njerëz hynë me forcë në Qendrën e Votimit dhe vodhën ose shkatërruan kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore”.

Sipas këtij misioni, ngjashëm me fushatën për raundin e parë, mbulimi i mediave pasqyronte aktivitetin e subjekteve politike, e ku LDK ishte subjekti më i mbuluar në shumicën e mediave të monitoruara në gjuhën shqipe.

“Gjatë fushatës zyrtare, një vëmendje e konsiderueshme nga mediat iu kushtua video-incizimit që pretendohej se paraqiste anëtarët e LDK’së duke bërë presion mbi një aktivist të Vetëvendosjes për t’iu bashkuar LDK’së. LDK hodhi poshtë këto pretendime”.

“Raportimi i mediave për ketë video xhirim rezultoi në rritjen e vëmendjes për LDK’në në ditët e fundit të fushatës, kryesisht nga KTV, e cila në lidhje me këtë video xhirim raportoi në mënyrë kritike”.

“Televizioni publik RTK1 në përgjithësi i paraqiti të gjitha palët në mënyrë pozitive dhe neutrale, dhe mbulimi i LDK’së nga ky medium po ashtu u ndikua nga kjo video”.

“Klan Kosova pati një qasje të barabartë ndaj të gjithë garuesve. G.I. ‘Srpska’ dominoi për nga mbulueshmëria në lajmet politike në të gjitha kanalet televizive të monitoruara në gjuhën serbe, me përqindjen më të madhe në TV Most. Ky mbulim nga mediat u ndikua nga kohëzgjatja e konsiderueshme e transmetimeve që ju kushtuan përfaqësuesve zyrtarë politikë nga Serbia që përkrahnin listën e ‘G.I. Srpska’. Mediat i kushtuan më shumë vëmendje disa komunave të caktuara, veçanërisht Prishtinës dhe Gjakovës. Nga mediat e monitoruara, RTK1 e mbuloi fushatën në numrin më të madh të komunave”.

Ndërkohë ky mision, vlerëson se Komisioni i Pavarur i Mediave ka dështuarnë ushtrimin e përgjegjësisë së tij ligjore të mbikëqyrjes së punës së mediave dhe të shqyrtimit dhe vendosjes për ankesat lidhur me mediat.

“Misioni ynë mësoi se ishin paraqitur mbi 10 ankesa për aspekte të ndryshme të mbulimit nga mediat për të dy raundet e zgjedhjeve. MVZ’së nuk iu dhanë kopje të ankesave me sqarimin se procedurat ishin duke vazhduar. Megjithatë, para zgjedhjeve të 1 dhjetorit, KPM nuk mbajti asnjë takim zyrtar për të diskutuar për çështjet që kishin të bënin me zgjedhjet”.