BE përsërit thirrjen: Çështja e strukturave paralele të zgjidhet me dialog konstruktiv

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen për konstruktivitet në dialog.   Ky deklarim vjen pasi të mërkurën, Qeveria e Kosovës i mbylli zyrat e strukturave paralele në dhjetë komuna të vendit.   Sot, zëdhënësja e BE-së Anita Hipper, tha se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.   Hipper sot…

Lajme

16/01/2025 17:36

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen për konstruktivitet në dialog.

 

Ky deklarim vjen pasi të mërkurën, Qeveria e Kosovës i mbylli zyrat e strukturave paralele në dhjetë komuna të vendit.

 

Sot, zëdhënësja e BE-së Anita Hipper, tha se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.

 

Hipper sot në një konferencë për media përsëriti se për Bashkimin Evropian, dialogu mbetet parësor.

 

“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut, kjo është parësore dhe e domosdoshme dhe kjo është pse bëjmë përpjekje për këtë dhe arsyeja pse kërkojmë nga të gjitha palët që ta bëjnë këtë. E keni parë deklaratën tonë, dhe atë çka është thënë më parë. Është e rëndësishme që ta vazhdojmë dialogun në mënyrë konstruktive”, tha Hipper në këtë konferencë.

 

Gjatë një operacioni policor të mërkurën janë mbyllur komunat paralele të Serbisë: në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.

 

Ky aksion u kritikua nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe ambasadat tjera të akredituara në vend.