BE përkujton rreshterin Afrim Bunjaku: Serbia duhet të arrestojë dhe ndëshkojë autorët e sulmit në Banjskë

Në dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë homazhe në nderim të tij, duke dënuar ashpër këtë akt kriminal. Përmes një deklarate publike, Zyra e BE-së në Kosovë bëri të ditur se ambasadori…

Lajme

24/09/2025 15:51

Në dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë homazhe në nderim të tij, duke dënuar ashpër këtë akt kriminal.

Përmes një deklarate publike, Zyra e BE-së në Kosovë bëri të ditur se ambasadori Orav e përkujtoi rreshterin Bunjaku si viktimë të një sulmi të shëmtuar, të kryer nga agresorë të armatosur serbë të Kosovës, më 24 shtator 2023, në veri të vendit, transmeton lajmi.net.

“Ambasadori Aivo Orav përcolli respektet e tij për rreshterin e ndjerë të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë dy vite më parë në sulmin e rëndë në Banjskë. Ai ritheksoi se autorët e këtij sulmi duhet të mbahen përgjegjës.”

Zyra e BE-së theksoi se Bashkimi Evropian pret nga autoritetet në Serbi që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve që gjenden në territorin e saj.

“BE pret që autoritetet në Serbi t’i arrestojnë dhe t’i ndjekin penalisht autorët që gjenden në Serbi dhe të përgjigjen ndaj kërkesës së Kosovës për ndihmë juridike përmes kanaleve të krijuara zyrtare,” thuhet më tej në deklaratë.

Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies për të gjitha palët në rajon, duke e cilësuar sulmin në Banjskë si një kërcënim serioz ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë./lajmi.net/