BE nuk është kundër që Vetëvendosje t’i udhëheq bisedimet me Serbinë

Bashkimi Evropian respekton proceset e brendshme në Kosovë, përderisa ato janë procese demokratike dhe në përputhje me ligjet vendore, ka deklaruar, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së.

Lajme

14/09/2014 18:45

Bashkimi Evropian nuk e ka ndërmend të përzihet më çështje e brendshme të Kosovës dhe nuk ka asnjë kundërshtim nëse bisedimet me Serbinë do të udhëhiqen nga lëvizja Vetëvendosje. 

“BE respekton proceset e brendshme në Kosovë, dhe rezultatet të cilat dalin nga këto procese dhe janë në përputhje me ligjet dhe proceset demokratike“, ka theksuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kryediplomates evropiane në largim, Catherine Ashton, në një prononcim për Radio Kosovën, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, ku bllokut të partive LDK-AAK dhe Nisma iu bashku edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila fillimisht u tha se do të udhëheqë bisedimet me Serbinë, nëse blloku do të arrij të formojë qeverinë.

Zëdhënësja Kocijançiq tha se dialogu konstruktive mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është shumë i rëndësishëm të vazhdojë.

“Ne presim të qeveria e ardhshme e Kosovës, do të vazhdojë të zbatojë marrëveshjet e arritura, si dhe të angazhohet për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve mes dy vende” ka thënë ajo.

Ajo më tutje ka shtuar se krahas kësaj Bashkimi Evropian mbështetë reformat dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Prandaj sipas saj është më rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Angazhimi për të ardhmen evropiane të Kosovës është thënë mjaft qartë edhe më inicimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për këtë është interes thelbësorë për Kosovën vazhdimi i dialogut me Serbinë”, është shprehur Kocijançiq.

Ndryshe, ditë më parë Blloku LDK-AAK-Nisma kanë nënshkruar një marrëveshje, më lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për qëllim t’i pamundësoj PDK-ës, marrjen e pushtetit për të tretën herë me radhë, ndonëse kjo e fundit ka dal si partia e parë në zgjedhjet e qershorit.

Njëra ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshje është edhe dialogu ndërshtetërorë me Serbinë, e cila është përfolur se do të udhëhiqet nga lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por gjë e cila më vonë është mohuar nga lideri i LDK-ës, Isa Mustafa, ku sipas këtij të fundit me dialogun do të udhëheqë Ramush Hardinaj, si i nominuari i bllokut për pozitën e kryeministrit.