BE nis procedurë kundër Polonisë pas reformave gjyqësore

Komisioni Evropian ka nisur sot një procedurë disiplinore kundër Polonisë, pas shqetësimeve se demokracia e këtij shteti është në rrezik.

Bota

20/12/2017 16:41

Zyra e ekzekutivit të Komisionit Evropian, ka thënë se plani i Polonisë për reforma në sistemin gjyqsësor, duke përfshirë edhe ata sesi emërohen gjyqtarët, përbën kërcënim për sundimin e ligjit.

Duke u bazuar në Artikullin 7 të traktatit të Bashkimit Evropian, vendet anëtare duhet të vendosin nëse Polonia është në “rrezik serioz për shkelje” të parimeve ligjore të BE-së.

Sidoqoftë, komisioni ka thënë se mund të tërheqë vendimin nëse Varshava zbaton një listë të propozimeve brenda tre muajsh.

Sipas Artikullit 7, nëse merret një vendim i tillë, Polonia mund të suspendohet nga e drejta e votës në Këshillin Evropian.

Për këtë gjë duhet të pajtohen 27 vendet e BE-së.

Hugaria ka thënë se në një rast të tillë do të përdorte veton.

Mijëra persona kanë protestuar në Poloni kundër reformave të planifikuara, të cilat janë miratuar nga të dy dhomat e parlamentit.

Presidenti Andrzej Duda ende nuk i ka nënshkruar ndryshimet.

Partia në pushtet ka thënë se ndryshimet janë të domosdoshme për të zvogëluar korrupsionin.