BE kërkon nga Kosova përkushtim për zbatim të MSA-së

Bashkimi Evropian po kërkon përpjekje të vazhdueshme të Kosovës për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizimi Asocimit (MSA). Në pesë vjetorin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, BE shprehet insistuese në zbatimin e reformave në Kosovë për ta vazhduar angazhimin drejt BE-së. Përmes një tryeze virtuale theksohet edhe mungesa e vullnetit politik nga pala kosovare për implementimin e deritanishëm të reformave të MSA-së. Ndërkohë si sfida paraqitet edhe sundimi i ligjit në Kosovë dhe dialogu me Serbinë.

Lajme

08/04/2021 17:35

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova do të vazhdojë t’i kryejë detyrat në zbatimin e reformave të MSA-së.

Derisa tha se qëllimi i tyre është që deri në fund të mandatit të qeverisë Kurti të arrijnë në pikën për të aplikuar për anëtarësim në BE.

“Disa nga detyrat duhet t’i bëjmë ne vet, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe të kemi më shumë përgjegjësi në sistemin e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjëja e dytë është avancimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…Qëllimi i qeverisë është që deri në fund të mandatit të saj të arrijë pikën për t’u bërë një vend që kërkon anëtarësim në BE. Dhe ne duhet të pyesim edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe një lëvizje pozitive nuk do të jetë e rëndësishme vetëm në vetvete, por do të ishte një nxitje e rëndësishme për të çuar përpara vendimet e vështira politike në rrugën tonë të integrimit. Unë do të doja të them se kapitulli i dialogut politik duhet të hapet dhe ne nuk kemi bërë asgjë në këtë aspekt, prandaj do të kërkoj të hapet kapitulli i radhës i dialogut politik”, tha ajo.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog tha se suksesi me MSA-në e afron Kosovën drejt Bashkimit Evropian.

“Kërkohen përpjekje të vazhdueshme që Kosova të mbetet në shtegun e përmbushjes së marrëveshjes së MSA-së meqenëse afatet kohore po afrohen…Sundimi i ligjit është edhe vet thelbi i MSA-së, kjo që paraqitet një prej sfidave kryesore për Kosovën dhe nënkupton pavarësinë e gjyqësorit, luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe transparencë në proceset vendimmarrjes. Është me rëndësi që Kosova t’iu mundësojë bizneseve infrastrukturë dhe mbrojtje prej elementeve të korrupsionit. MSA nënkupton po ashtu zotimin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Prandaj dialogu me Beogradin mbetet një prej proceseve më të rëndësishme në rajon”, u shpreh ai.

Implementim të reformave kërkoi edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

“Procesi i integrimit evropian është shtysa e drejtpërdrejtë e Kosovës. Kësisoj është vet baza e një përkrahje të bashkuar për reformat e Kosovës në raport me BE dhe angazhimin e saj drejt BE-së”, tha ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha tha se ka munguar vullneti politik në Kosovë për të ndërmarrë reformat e MSA-së.

“Përgjatë këtyre 5 viteve, mësimi kryesor ishte që ka munguar një vullnet politik për të ndërmarrë reformat e MSA-së. Kishte ndërmjet pjesëmarrësve një konsensus se po të kishte pasur një vullnet më të madh politik për reformat e MSA-së, qoftë sundimi i ligjit, qoftë ekonomike, apo sistemit arsimor, Kosova do të ishte në një vend më të avancuar sa i përket zbatimit të MSA-së”, deklaroi ai.