BE jep dritën jeshile për hapjen e Grup-Kapitullit të fundit me Shqipërinë

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritën jeshile vijimit të negociatave me vendin tonë për hapjen e grupkapitullit të 5-të, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin. Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së. Konferenca e gjashtë ndërqeveritare do të mbahet në mesin…

Lajme

23/07/2025 15:41

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritën jeshile vijimit të negociatave me vendin tonë për hapjen e grupkapitullit të 5-të, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.

Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së. Konferenca e gjashtë ndërqeveritare do të mbahet në mesin e muajit shtator. Në këtë konferencë do të hapet grupkapitulli i katërt i negociatave, ai për Agjendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme. BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë që në muajin qershor të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh.

Grupkapitulli 4 përfshin: transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë. Po ashtu, trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Shqipëria synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030. Kryeministri Edi Rama ka premtuar anëtarësim të plotë të vendit në 2030. Përmes “Shqipëria 2030”, Rama është zotuar të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2027 dhe të sigurojë anëtarësimin deri në fund të dekadës. Qeveria e Ramës ka reklamuar hapjen e 16 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022.