BE jep 4.2 milionë euro për bujqësi

Bashkimi Europian dha më shumë se 4.2 milionë euro për sektorin e bujqësisë në Kosovë. Zyrtarë të BE’së thonë se kjo do ta rrisë tregun e prodhimeve vendore.

Lajme

11/12/2013 13:45

Bashkimi Europian, përmes granteve, do t’i mbështesë 12 projekte të përzgjedhura që merren me përpunimin e produkteve të qumështit, mishit, drithërave, verës, frutave dhe perime që kapin një vlerë prej 4.250 milionë euro.

Fillimi zyrtar i granteve të financuara nga BE në bujqësi dhe zhvillim rural u mbajt sot në Prishtinë.

Zyrtarë të BE’së në Kosovë kanë thënë se grantet do të ndihmojnë në përmirësimin e përpunimit dhe marketingut, higjienës, cilësisë dhe standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit në tri nën-sektorët e bujqësisë si dhe do ta rrisë konkurrueshmërin në sektorin bujqësor, dhe besimin e konsumatorit në produkte vendore.

\"BE

Përveç kësaj grantet e BE-së do të rrisin kontributin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në rritjen ekonomike në Kosovë.

“Kjo skemë e granteve do t’i promovojë standardet e sigurisë në ushqim, shëndetin publik, përmirësimin e mëtejme të procedimit të ushqimit dhe marketingun, standardet e higjienës, cilësinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të gjitha çështjet tjera të bujqësisë”, ka thënë Christoph Stock nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

“Me anë të kësaj krijohen vende pune dhe rritet tregu i këtyre produkteve dhe përmirëson besimin e publikut ndaj prodhimeve vendore”.

“Pse po e bëjmë këtë? Sepse bujqësia është një sektor vital në ekobnominë e Kosovës, një nga më të suksesshmit në vitet e kaluara. Kosova ka përparësi konkurruese dhe potencial që mund të zhvillohet tutje. Ne shpresojmë që me implementimin e granteve aktuale, ato të kaluara dhe të ardhmet, do të mund të kontribuojmë që sektori i bujqësisë të afrohet në implementimin e standardeve të BE’së”, është shprehur Christoph Stock.

Programi do të mbështesë përmirësimin e shfrytëzimit të produkteve dytësore, krijimin e produkteve me vlerë më të lartë të shtuar, krijimin e depove të ftohta, futjen e sistemit të menaxhimit të sigurisë së ushqimit HACCP, përmirësimin e marketingut dhe etiketimit të produkteve ushqimore, përmirësimin e linjave të prodhimit dhe objekteve që përmbushin standardet e BE-së, përfshirë kontrollin e kualitetit të modernizimit të pajisjeve.

\"BE

Nëpërmjet një procesi të detajizuar të përzgjedhjes 12 kompanitë janë zgjedhur në bazë të aftësisë dhe përkushtimit të tyre për të demonstruar se prodhimi konkurrues dhe eksporti i produkteve ushqimore është i mundur nga Kosova përmes marketingut më të mirë, cilësisë së përmirësuar dhe zbatimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe të shëndetit publik të njohura ndërkombëtarisht.

Që nga viti 1999, Bashkimi Europian ka ndarë rreth 70 milionë euro për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë dhe kjo skemë e granteve rurale e BE’së është pjesë e programit të gjerë për të mbështetur jetesën e qëndrueshme në zonat rurale.