BE-ja synon t’i frenojë kompanitë Google, Facebook, Apple dhe Amazon

Komisioni Evropian ka paraqitur një draft-rregullore që synon të vendosë rregulla të reja për kompanitë e teknologjisë: Google, Facebook, Apple dhe Amazon.

Bota

16/12/2020 14:00

Këto rregulla po vlerësohen të jenë ndër më të rëndësishmet nga një sërë rregullash të vendosura prej rregullatorëve në të gjithë botën, shkruan agjencia Reuters.

Çfarë rregulla që parasheh BE-ja?

Ekzistojnë dy grupe rregullash, Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) dhe Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA). Kjo e fundit zëvendëson Direktivën e Tregtisë Elektronike që është e vjetër 20 vjet.

DMA-ja shënjestron kompanitë që kontrollojnë të dhënat dhe qasjen në platformat e tyre – të cilave mijëra biznese dhe miliona evropianë u besojnë për punën dhe ndërveprimet e tyre.

Këto kompani vlerësohet të kenë më shumë se 6.5 miliardë euro qarkullim vjetor në Evropë n tre vjetët e fundit. Vlera e tyre në treg në vitin e fundit ka arritur në 65 miliardë euro.

Kritere të tjera përfshijnë pasja e më shumë se 45 milionë përdoruesve mujorë në Evropë dhe më shumë se 10.000 përdorues të biznesit. Kompanitë e tilla mund të jenë motorët e kërkimi në internet, shërbimet e rrjeteve sociale, shërbime kompjuterike dhe shërbimet reklamuese.

Rregullat e reja të BE-së adresojnë një sërë çështjesh për këto kompani siç janë: ndarja e llojeve të caktuara të të dhënave me rivalët dhe rregullatorët, ndalimi i favorizimit të shërbimeve në platformat e tyre ose marrja e të dhënave nga platformat e tyre për të konkurruar me përdoruesit e tyre të biznesit.

Atyre, gjithashtu, do t’u kërkohet të informojnë rregullatorët për blerjet e planifikuara, një veprim që synon parandalimin e të ashtuquajturave “blerje vrasëse” ose blerjen e rivalëve më të vegjël për t’i fundosur ata.

Shkelësit e rregullave përballen me gjobë deri në 10% të qarkullimit të tyre vjetor global, ndërsa për ata që përsërisin shkeljen e rregullave parashihen masa edhe më të ashpra.

Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) shënjestron platforma të mëdha online të përcaktuara si kompani me më shumë se 45 milionë përdorues në Evropë.

Gjigantëve të teknologjisë u kërkohet të bëjnë më shumë për të trajtuar përmbajtje të paligjshme të tilla si gjuha e urrejtjes dhe materialet e abuzimit seksual të fëmijëve, keqpërdorimi i platformave të tyre që cenojnë të drejtat themelore dhe manipulimi i qëllimshëm i platformave, të tilla si përdorimi i robotëve për të ndikuar në zgjedhje dhe shëndetin publik.

Kompanive do t’u kërkohet të publikojnë detaje të reklamuesve të tyre në internet dhe të tregojnë parametrat e përdorur nga algoritmet e tyre për të sugjeruar dhe renditur informacionin që u paraqitet përdoruesve.

Pse BE-ja po ashpërson masat ndaj gjigantëve të teknologjisë?

Komisionarja për Konkurrencë e BE-së, Margrethe Vestager, është shprehur gjithnjë e më shumë e zhgënjyer me ritmin e ngadaltë të hetimeve në këtë sektor. Edhe pas dhjetë vjetësh, dhe trajtimit të tri rasteve të konkurrencës jo të drejtë dhe pas më shumë se 8 miliardë eurove gjobitjeje kundër Google, Vestager ende përballet nga ankesat nga qindra kritikë të Google se ajo nuk ka arritur të ndalojë veprimet kundër konkurrencës të kësaj kompanie.

Për komisionarin e Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton, zgjidhja më e mirë është vendosja e rregullave që do t’u tregonin gjigantëve të teknologjisë se ata nuk janë aq shumë të mëdhenj sa për t’u mos u frenuar.

Çfarë vjen më pas?

Komisionit do t’i duhet të procedojë legjislacionin së bashku me 27 vendet anëtare dhe Parlamentin Evropian, një proces që mund të zgjasë një vit ose më shumë.

Çfarë thonë vendet anëtare dhe ligjvënësit?

Në shtator, Franca dhe Holanda lëshuan një letër të përbashkët duke kërkuar që ekzekutivi i BE-së (Komisioni Evropian) të marrë një qëndrim më të ashpër kundër gjigantëve të teknologjisë, duke sugjeruar një numër masash identike me ato të propozuara së fundi nga Komisioni Evropian.

Kërkesa për këto masa, për holandezët, përbën shmangie nga linjat e tyre tradicionale liberale.

Gjermania është gjithashtu një mbështetëse e masave më të ashpra kundër gjigantëve të teknologjisë, ndërsa agjencia e saj e konkurrencës tashmë ka marrë masa kundër Facebook-ut dhe Amazon-it.

Nga ana tjetër, qeveria çeke ka paralajmëruar se është kundër vendosjes së rregullave të tepërta. Irlanda, ku gjenden selitë evropiane të Google, Facebook dhe Twitter, ka të ngjarë se do të luftojë për një qasje me masa më të buta.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian pritet të mbështesin qasjen e Komisionit.

Çfarë mund të bëjnë kompanitë e teknologjisë karshi këtyre kërcënimeve?

Gjigandët e teknologjisë, të cilët kanë bërë thirrje për rregulla të ekuilibruara që nuk do të ngadalësojnë inovacionin e tyre, pritet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mposhtur projektligjet e BE-së.

Legjislacioni i fundit i BE-së, si platforma për biznes dhe rregullat e të drejtës autoriale, hynë në fuqi me masa më të buta sesa ishin paraqitur, pjesërisht për shkak të lobimit të ashpër të këtyre kompanive me vendet dhe ligjvënësit e BE-së.

Por, mos prisni një reagim në grup të këtyre kompanive, pasi ato kanë rivalitet dhe synojnë depërtimin në tregun e njëra-tjetrës.

Për shembull kompania Facebook dëshiron që BE-ja të penalizojë Apple për shkak të fuqisë së dyqanit të aplikacioneve (App Store). Facebook pretendon se Apple e përdorë këtë fuqi për të dëmtuar zhvilluesit, konsumatorët dhe platformat e mëdha. Por, Apple hedh poshtë akuza të tilla.

Çfarë mendon SHBA-ja për propozimet?

Oda Ekonomike Amerikane i ka kritikuar propozimet. Ajo thotë se masat e ashpra të propozuara, të cilat përfshijnë edhe gjoba të mëdha financiare, shënjestrojnë ekskluzivisht kompanitë amerikane.

A ka nisma të tilla edhe në vende tjera në botë?

Në fillim të muajit shtator, Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) në SHBA, dhe një koalicion i prokurorëve nga disa shtete, të udhëhequr nga shteti i Nju Jorkut, akuzuan gjigantin e rrjeteve sociale Facebook për sjellje anti-konkurruese dhe monopol. Apple gjithashtu është subjekt i hetimeve të FTC-së.

Komisioni i Konkurrencës dhe Konsumatorëve (ACCC) në Australi ka bërë thirrje të ngjashme për ndryshime gjithëpërfshirëse për të kontrolluar mënyrën se si Google dhe Facebook përdorin përmbajtjen lokale dhe të dhënat e konsumatorit.

Organi i konkurrencës i Indisë po heton pretendimet se Google e keqpërdorë pozicionin e vet në treg për t’i promovuar aplikacionet që i ka me pagesë, përmes tregut të televizionave të mençur sistemit të saj operativ Android.

CCI-ja po heton gjithashtu Amazon-in dhe rivalin Flipkart, në pronësi të Walmartit, për shkelje të pretenduara të ligjit të konkurrencës dhe praktika të caktuara zbritjeje, përmes së cilave po sfidohet Amazon.

Edhe Britania e Madhe ka propozuar rregulla të reja për të goditur kompanitë e teknologjisë.