BE-ja mbron dispozitat ligjore të propozuara për Gjykatën Speciale

Procesi i themelimit të Gjykatës Speciale është në përputhje të plotë me letërkëmbimin e prillit të vitit 2014 dhe se janë miratuar të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian, kur janë pyetur për mundësinë e ndryshimit të draftit fillestar të projektligjit për Specialen.

Lajme

05/03/2015 08:14

Këtë ndryshim është duke e kërkuar pala kosovare, e cila ka listuar 18 vërejtje për draftin, të cilin në shumë pika e konsideron se shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë për “Kohën Ditore” se Gjykata Speciale është një nga prioritetet kryesore të cilin Kosova duhet ta adresojë.

“Ne kemi ofruar ndihmën tonë për institucionet e Kosovës në përgatitjet rreth themelimit të Gjykatës Speciale, për të hetuar rastet që dalin nga hetimi i udhëhequr nga SITF, duke miratuar të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore”, ka thënë Kocijançiq.

Por, kur është pyetur për ndryshimet eventuale të projektligjit, Kocijançiq është shprehur se “krijimi i saj (Gjykatës Speciale v.j.) është në përputhje me angazhimet e marra përsipër në shkëmbimin e letrave të prillit 2014, duke përfshirë edhe ofrimin e një mjedisi ku mund të administrohet drejtësia”.