BE-ja kërkon zbatim më të shpejtë të reformave në Kosovë, mbi 3.7 miliardë euro investime që nga viti 1999

Përfaqësues të Kosovës dhe të Komisionit Evropian kanë zhvilluar sot në Prishtinë takimin vjetor të Komitetit Monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), ku u diskutua për zbatimin e mbështetjes financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian, si dhe për avancimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian. Takimi u bashkëkryesua nga Koordinatori…

Lajme

16/06/2026 19:39

Përfaqësues të Kosovës dhe të Komisionit Evropian kanë zhvilluar sot në Prishtinë takimin vjetor të Komitetit Monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), ku u diskutua për zbatimin e mbështetjes financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian, si dhe për avancimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Takimi u bashkëkryesua nga Koordinatori Kombëtar për IPA-n, Florim Canolli, dhe Shefi i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore, Jiri Plecity.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, diskutimet u fokusuan në progresin e përgjithshëm të implementimit të mbështetjes së Bashkimit Evropian në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin e sektorit privat, kapitalin njerëzor dhe shoqërinë gjithëpërfshirëse.

“Komisioni Evropian mirëpriti përkushtimin e Qeverisë për forcimin e kapacitetit absorbues të Kosovës dhe përmirësimin e koordinimit të përgjithshëm të donatorëve”, thuhet në komunikatë.

Në takim u trajtuan edhe investimet e Bashkimit Evropian në Kosovë, të realizuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC).

Komisioni Evropian vlerësoi progresin e arritur në zbatimin e asistencës IPA, por theksoi nevojën për realizimin në kohë të projekteve të dakorduara.

“U theksua se disa projekte sfiduese kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet relevante për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm dhe për t’i avancuar reformat esenciale për rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

Nga ana e saj, Kosova riafirmoi përkushtimin për monitorimin e afërt të projekteve dhe zbatimin efektiv të reformave të mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Të dyja palët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin për të rritur efektin e asistencës së IPA-s dhe për të mbështetur realizimin sa më efikas të reformave.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Bashkimi Evropian mbetet partneri më i madh financiar i Kosovës, me mbi 3.7 miliardë euro investime në vend që nga viti 1999. /Lajmi.net/