BE-ja e izolon totalisht Kurtin: Asnjë zyrtari evropian nuk do t’i shkelë këmba në zyrën e kryeministrit derisa të formohet qeveria e re
Kriza politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re të izolimit diplomatik. Asnjë zyrtar i nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian apo shtetet anëtare të tij nuk do të vizitojë më Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë – deri të formohet një qeveri me mandat të plotë, transmeton lajmi.net. Kjo…

Lajme
Kriza politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re të izolimit diplomatik.
Asnjë zyrtar i nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian apo shtetet anëtare të tij nuk do të vizitojë më Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë – deri të formohet një qeveri me mandat të plotë, transmeton lajmi.net.
Kjo është konfirmuar përmes një letre zyrtare e siguruar nga Klan Kosova, ku përmendet mosrespektimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme si arsyeja kryesore për këtë bojkot të paprecedentë institucional.
Letra, e nënshkruar në emër të Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë, shpreh zhgënjim të thellë ndaj Qeverisë në detyrë, e cila sipas tyre ka shkelur sundimin e ligjit duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Supreme të datës 25 qershor 2025.
Vendimi në fjalë ka shpallur të pavlefshëm Udhëzimin Administrativ për pajisjet fiskale, duke përmendur shkelje kushtetuese nga ministria përkatëse.
“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën zyrtare.
Kjo nismë e BE-së interpretohet gjerësisht si një “bllokadë diplomatike” ndaj Kurtit, në një moment të ndjeshëm për vendin dhe për proceset integruese të Kosovës.
Qeveria në mbrojtje: Kush do ta takoj Kurtin, duhet të vijë në vendin ku punon ai
Përgjigjja nga Qeveria në detyrë erdhi me shpejtësi. Zëdhënësi Përparim Kryeziu deklaroi për KosovaPress se Kryeministri Kurti është në detyrë dhe zyrat e Qeverisë janë vendi i tij i punës.
“Kushdo që kërkon takim me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon ai. Gjithsesi kjo nuk përjashton mundësinë që takimet të mbahen jashtë zyrës – por vetëm me dakordim të palëve,” tha Kryeziu, duke minimizuar domethënien e vendimit të BE-së.
Megjithatë, bojkoti i selisë qeveritare nga BE-ja është një sinjal i qartë i krizës në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, dhe një alarm serioz për institucionet vendore që vazhdojnë të funksionojnë pa mandat të plotë./lajmi.net/